E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasaportat, probleme në gjithë vendin

Në Vlorë, aplikantët dalin në protestë për shkak të vonesës së marrjes së dokumenteve
Vijojnë radhët dhe tensionet në zyrat e aplikimeve për pasaporta biometrike. Mëngjesin e djeshëm, një grup emigrantësh nga Vlora ka zhvilluar një protestë përpara Drejtorisë së Policisë dhe Prefekturës, për shkak të vonesave në pajisjen me pasaportat biometrike. Sipas emigrantëve, ndonëse kanë aplikuar përpara vitit të ri dhe kanë kaluar më shumë se tri javë nga aplikimi, ende nuk i kanë marrë dokumentet biometrike. Pas protestës së zhvilluar përpara drejtorisë së policisë, emigrantët janë nisur drejt prefekturës, ku kanë kërkuar takim me prefektin Hasan Halili. Ky i fundit i ka sqaruar se kjo situatë ka ardhur pas përgjysmimit të numrit të operatorëve nga kompania që prodhon kartat e identitetit. Ai ka shtuar se do të ndërhynte me autoritetin e tij që kërkesat e tyre të zgjidhen sa më shpejt.
Ndërkaq, situata mbetet problematike dhe në një pjesë të madhe të vendit. Gati çdo ditë zyrat e aplikimeve për dokumentet e reja “pushtohen” nga qytetarë, të cilët janë të detyruar të presin disa ditë në radhë për të mbaruar punë. Kështu, në Qarkun e Kukësit, sidomos në Bashkinë Kukës, pajisja me dokumentet e reja po kthehet në një stres të vërtetë dhe humbje kohe për qytetarët. Banorë nga zona të thella të Kukësit, ku tashmë nuk ka qendër aplikimi, gra, pensionistë, si dhe emigrantë të ardhur nga vendet perëndimore ku punojnë, detyrohen të presin me ditë të tëra për t’u pajisur me karta identiteti dhe më pas me pasaporta biometrike. Në zyrat e aplikimit në Kukës punon vetëm një specialist, i cili nuk mund ta përballojë fluksin e njerëzve. Aplikantët shprehen shumë të irrituar për humbjen e kohës dhe u bëjnë apel kompetentëve të shtojnë personelin, përndryshe do të protestojnë deri në bllokim të plotë të qendrës së aplikimit. E njëjta situatë është dhe në zyrat e gjendjes civile. “U bënë tetë ditë që vij këtu për të aplikuar për kartë identiteti dhe nuk kam mundur të aplikoj. Vazhdimisht gjej radhë të gjatë, më thonë: Xhaxha prit!”, tregon i nervozuar një 65-vjeçar nga fshati Topojan.
Ndërsa në Fier vetëm një sportel është në funksion të shpërndarjes së pasaportave biometrike. Aty çdo ditë ndesh në radhë të gjata dhe personat e interesuar për pasaporta akuzojnë për dhënie nën dorë të dokumentit në fjalë.
Vonesa ka dhe në qendrën e vetme të shpërndarjes së pasaportave biometrike në Rrethin e Beratit. Shumë prej emigrantëve të ardhur pranë banesave të tyre për të kaluar festat e fundvitit ende nuk janë larguar drejt vendeve ku jetojnë dhe punojnë për shkak se ende nuk kanë mundur të marrin pasaportat e reja biometrike. Vetëm gjatë ditës së djeshme pranë qendrës së vetme të aplikimit që ndodhet në këtë rreth kanë qenë për t’u shpërndarë 600 pasaporta të reja, por deri në orën 14:30 janë shpërndarë vetëm 150 të tilla. Shkak në vonesën e shpërndarjes së pasaportave është fakti që në sportelin e vetëm të shpërndarjes për Bashkinë Berat dhe 10 komunat e rrethit është vetëm një punonjëse. Kjo e fundit e ka pasur të vështirë ta përballojë fluksin e pasaportave të reja që u prodhuan si pasojë e rritjes së kërkesave gjatë muajit dhjetor.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›