Gjenerali që urdhëroi Gardën në Cërrik fiton azil në Belgjikë
Xhahit Xhaferri po gjykohet në Tiranë për rebelim, dezertim, shpërdorim armatimi e shpërdorim i detyrës nga ushtaraku
Gjenerali Xhahit Xhaferri, ish-drejtues i Gardës së Republikës në vitin 1997, i cili ka urdhëruar vartësit e tij për të rivënë rendin në qytezën e Cërrikut, nga ku më pas ndodhi edhe masakra, ka fituar azilin politik në Belgjikë. Dje në Gjykatën e Tiranës ka qenë seanca e radhës me të pandehur Xhahit Xhaferrin dhe Arjan Cengën, të hetuar për rebelim, dezertim, shpërdorim armatimi e shpërdorim i detyrës nga ushtaraku. Gjyqtari i çështjes, Kreshnik Omari, verifikoi palët. I pranishëm ka qenë vetëm avokati i Cengës, Hysni Beti, ndërsa gjenerali Xhaferri ende nuk kishte marrë dijeni për gjyqin. Sipas informacioneve të servirura nga prokurori në gjykatë, gjenerali ka fituar azilin në Belgjikë dhe duhet të njoftohet nëpërmjet letër-porosive për zhvillimin e gjyqit, pasi në të kundërt procesi është i pavlefshëm. Ndërsa i pandehuri tjetër, Arjan Cengu, ka marrë dijeni për gjyqin dhe ka caktuar edhe një avokat. Sipas informacioneve të prokurorisë edhe Cengu ndodhet në Holandë, ku dhe ka fituar azilin, pas ngjarjes së vitit 1997 ku gjashtë kolegë të tyre u ekzekutuan në Cërrik nga bandat e zonës. Dy të pandehurit janë dënuar në mungesë më parë nga Gjykata e Tiranës me 12 vite Xhaferri dhe 10 vite burg Cenga, dënime këto që u lanë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit. Por ishte Gjykata e Lartë ajo që e riktheu për gjykim këtë dosje në Gjykatën e Tiranës. Ndërkohë, në Gjykatën e Tiranës janë zhvilluar gjashtë seanca dhe të gjashta janë shtyrë për mungesë të të pandehurve. Sipas prokurorisë, këta persona kanë dhënë disa urdhra, të cilët janë në kundërshtim me ligjin, duke sjellë kështu edhe një situatë kaotike në vitin ‘97, ku këta punonjës të Gardës së Republikës mbajnë përgjegjësi për Masakrën e Cërrikut dhe për pasojat se saj. Me urdhër të Cengës, janë nisur nga Garda e Republikës 5 transportues të blinduar për në qytetin e Elbasanit dhe më pas në Cërrik, ku dhe ndodhi masakra, pasi bandat e zonës kanë qëlluar mbi to. Sipas prokurorisë, dy të pandehurit akuzohen se dy ditë pas ngjarjes, Cengu dhe një trupë prej 15 personash shkojnë në Spitalin Ushtarak dhe kanë filluar të qëllojnë në ajër dhe mbi muret e fasadës kryesore të spitalit, duke krijuar terror psikologjik mbi të gjithë punonjësit e spitalit dhe personat e ndryshëm që ndodheshin aty. Më pas kanë çarmatosur punonjësit e rendit në spital dhe kanë ushtruar dhunë edhe ndaj mjekëve. Prokuroria thotë se veprimet janë realizuar pasi të pandehurit mendonin se mjekët nuk po tregonin kujdes në mjekimin e kolegëve të tyre. Ndërkohë, Xhaferri akuzohet edhe për dezertim, pasi tre muaj nga ngjarja është larguar jashtë vendit, pa lajmëruar më parë. Ai akuzohet edhe se ka marrë tri pistoleta dhe nuk i ka kthyer në punë.
#