E Shtunë, 31 Tetor 2026

Coli, prokuroria: Si po e mbrojmë familjen e të penduarit

Deklarata
“U kemi siguruar mbështetje, strehim, ushqim, punësim dhe veshmbathje”

Prokuroria e Përgjithshme deklaron se ka zbatuar me përpikëri kontratën e nënshkruar me të penduarin e bandave të Durrësit, Adriatik Coli, duke zbatuar si mbrojtjen fizike të tij ashtu edhe atë të familjes. Nga burime pranë akuzës qendrore deklarojnë se të penduarit i është siguruar një strehim në një bazë të fshehtë, ndërsa familjarëve u është siguruar mbështetje e plotë, si në strehim, ushqim, punësim dhe veshmbathje. Nga të dhënat e akuzës qendrore deklarojnë se familjarëve u është siguruar një banesë në një zonë të sigurt, e cila ruhet 24 orë në 24, ndërsa personave madhorë të familjes, vëllezërve, u është siguruar edhe punësim. Ata punojnë dhe kanë të ardhura të mjaftueshme për të bërë një jetë normale, ndërsa komisioni që vendos bashkëpunëtorët dhe të penduarit e drejtësisë u ka dhënë edhe disa privilegje kësaj familjeje, duke u mundësuar komunikim falas me njëri-tjetrin në telefon. Burime pranë akuzës qendrore deklarojnë se kanë marrë ankesë nga vëllai i të penduarit Adriatik Coli edhe bashkë me strukturat e policisë është verifikuar edhe pretendimi i familjarëve të tyre. Sipas të dhënave nga prokuroria, nuk ka asnjë informacion se persona të dyshuar mund të kenë kontaktuar me vëllain e Colit, ndërsa agjentët e policisë e shoqërojnë në çdo moment, duke u mundësuar ruajtjen fizike të tyre. Gjithashtu denoncimi publik është verifikuar nga një grup i posaçëm i prokurorisë e policisë dhe, nga informacionet e fundit në prokurori, ankesa nuk ka një vepër penale, ndërsa janë përforcuar edhe masat për këtë familje. Adriatik Coli ka nënshkruar me Prokurorinë e Krimeve të Rënda një kontratë me shtatë pika. Personi duhet të bashkëpunojë me prokurorisë pa asnjë rezervë dhe ai duhet të zbulojë bashkëpunëtorë të tjerë të organizatës. Coli duhet të jetë i gatshëm për prokurorët në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Ndërsa favoret e Colit për dëshminë janë ulja e dënimit apo edhe përjashtimi i tij nga dënimi. Ndërkohë, prokuroria dhe shteti duhet të marrë masa të posaçme të mbrojtjes së bashkëpunëtorit të drejtësisë, apo personave të afërm dhe të lidhur me të.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›