E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmshpërblimi i përmbytjes, nisin protestat në Shkodër

Banorët e “Livadeve” kërkojnë korrigjim të listave dhe shumave. Ankesa edhe nga Oboti, fshati simbol i përmbytjeve

Pas ankesave të banorëve të lagjes “Ajasëm” të Shkodrës, të cilët shprehnin shqetësimin se nuk kanë emrat në listat e personave që do të dëmshpërblehen, banorët e lagjes “Livade” dhe ata të fshatit Obot reagojnë ashpër për parregullsitë e vërejtura në procesin e dëmshpërblimit.
Rreth 50 përfaqësues të familjeve të “Livadeve” kanë protestuar dje pasdite në qendër të qytetit të Shkodrës. Me pankarta në duar, ku shkruhej “Duam vlerësim real të dëmit”, “Kërkojmë atë që na takon”, protestuesit u kanë kërkuar strukturave shtetërore të rishikojnë mënyrën se si është vlerësuar dëmi, pasi reagimet do të përshkallëzohen. Aleksandër Ndreshaj, përfaqësues i këtyre banorëve, tha se “ne jemi një zonë e harruar nga qeveria. Këtu çështja e vlerësimit të dëmeve ka qenë qesharake. Ka familje që nuk e kanë emrin në listë, dhe pse u është dashur të jetojnë në hotel për tri javë, ndërsa familjeve të tjera nuk u është vlerësuar as gjysma e dëmit të shkaktuar”. Pakënaqësi në lidhje me vlerësimin e dëmeve ka dhe në fshatin Obot. Rreth 20 familje në këtë fshat, pas protestës së bërë para këshillit të qarkut disa ditë më parë, kanë kërcënuar me bllokim të rrugës nacionale Shkodër-Muriqan, nëse qeveria nuk merr masa për të korrigjuar gabimet e bëra në procesin e vlerësimit të dëmeve nga përmbytjet e fillimit të këtij viti. Një nga banorët e fshatit Obot, Tomë Marku, thotë se “në Obot është bërë përmbytja më e madhe dhe më e gjatë, ku uji ka kaluar dy metra e gjysmë. Megjithëse kemi pësuar më shumë dëme se të gjithë, jemi vlerësuar më pak”.
Fshati Obot është simbol i përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës, pasi është fshati i parë që preket nga përmbytja dhe i fundit që shpëton nga ajo. Këtë vit Oboti ka pësuar dy përmbytje, një në muajin janar që ishte më e madhja dhe një në muajin shkurt. Në kohën e përmbytjes, Oboti ishte një nga fshatrat më problematikë, jo vetëm sepse banorët nuk pranonin të evakuoheshin, por edhe sepse uji mbuloi katet e para të të gjitha shtëpive.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›