E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbytet në kanalin kullues 41-vjeçari

Gjirokastër

Ka dashur të kalojë urën, por ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Pertef Keci, 41 vjeç, baba i dy fëmijëve nga fshati Buz i Tepelenës, mendohet të ketë gjetur vdekjen si pasojë e mbytjes në thellësinë e kanalit. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur 10 ditë më parë kur fryrja e arterieve kulluese të ujërave në jug ishte në nivele të larta, si pasojë e reshjeve të shiut. Të parët që kanë dhënë alarmin për mungesën e njeriut të tyre kanë qenë familjarët e të ndjerit, të cilët në mungesë të një lajmi nga ai kanë nxituar pas disa ditëve të informojnë Policinë e Gjirokastrës. Agjentët e policisë kufitare gjetën kufomën pas dy ditë kërkimesh në kanalin kullues kryesor të fushës së fshatit Jorgucat, 22 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës. Kufoma e 41-vjeçarit është gjetur në këmbën e një ure. Grupi hetimor konstatoi se në trupin e viktimës nuk kishte gjurmë dhune dhe hipoteza kryesore është vdekja aksidentale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›