E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demshperblimi per Shkodren. Mbi 4.5 milione dollare fermereve

Mbi 4.5 milionë dollarë parashikohet të jetë dëmi i shkaktuar në zonën e nën Shkodrës nga përmbytjet e fundit. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bëri me dije se përllogaritja e dëmshpërblimeve për fermerët është drejt përfundimit.

“Unë mund të bëja ndoshta një referim relativ duke menduar që dëmtimet bujqësore, nisur nga shumë e zhdëmtimit që ne kemi përdorur vitin e kaluar për përmbytjen e kaluar që qe dhe me një sipërfaqe më të vogël dhe një përiudhë më të shkurtër kohe, ka qenë rreth 4 milionë e gjysmë dollarë dëmtime në aktivitetin bujqësor. Sivjet pritshmëria ime është që mund të jetë një shifër më e lartë ” tha Ruli.

Zoti Ruli ka bërë me dije se një sërë ndërhyrjesh do të kryhen gjatë këtij vitit në rajonin e Shkodrës dhe zona të tjera, me qëllim evitimin e përmbytjeve dhe mbrojtjen nga vërshimet e mundshme të ujrave.

“Do të ketë një rehabilitim të plotë të rreth 30 kilometra argjinatura në lumenjtë Kir, Gjadër, Drin dhe Bunë. Do zgjerohet dhe thellohet gati në 1/3 e gjatësisë së saj vetë lumi i Bunës, do të rikonstruktohet tërësisht argjinatura mbrojtëse e Torovicës si dhe do të bëhet rehabilitimi i plotë i tre hidrovorëve kryesorë” tha Ruli.

Zoti Ruli bëri me dije para medieve rezultatet e punës për vitin 2010 si dhe objektivat për vitin që sapo ka nisur. Sipas tij rritja e prodhimit bujqësor pati rritje me rreth 8 për qind, krahasuar me vitin 2009. Për vitin aktual, për sektorin e bujqësisë buxheti i shtetit ka dhënë rreth 80 milionë dollarë.

Florian Papadhimitri Azhornuar së fundi ( e enjte , 13 janar 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›