Topalli takon një grup deputetësh të Parlamentit gjerman
Vetëm pak ditë para anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, një grup deputetësh të Parlamentit gjerman vijnë për të uruar kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë. Delegacioni parlamentar gjerman i shprehu kryetares së Kuvendit kënaqësinë që vizitojnë Shqipërinë në këto ditë të jashtëzakonshme për vendin tonë. Kryetarja e Parlamentit shprehu kënaqësinë që ata vijnë në ditë të jashtëzakonshme për historinë e kombit shqiptar, në vigjilje të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në jetësimin e një ëndrre të shumëdëshiruar të prindërve, të gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë, kthimi në familjen e vlerave europiane.
Braçe: “Qeveria të ndihmojë shtresat në nevojë”
Deputeti socialist, Erion Braçe, i bëri thirrje qeverisë të mobilizohet për të garantuar kushte më të mira për kategoritë sociale në nevojë. Gjatë fjalës së tij, Braçe i kërkoi maxhorancës të kthejë kokën nga të verbrit e Shqipërisë, në mënyrë që ata të marrin atë që u takon me ligj. “Të verbrit e Shqipërisë po kërkojnë të drejtat e tyre të mohuara. Do të doja t’i ktheni përgjigje kësaj kategorie që ata të marrin atë që u takon në bazë të vendimeve të qeverisë. Nëse të verbrit fillojnë grevën do të jetë shumë e rëndë për imazhin e Shqipërisë, edhe për ju si qeveri, që në rastin e paraplegjikëve u ndjetë ngushtë kur ju përplasën derën në fytyrë”, - theksoi nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Braçe. Ndërkaq, Braçe nuk ka lënë pa përmendur edhe defektet në sistemin e shpërndarjes së valëve të Televizionit Publik Shqiptar, duke insistuar se TVSH-ja nuk ofron shërbim në disa qytete, ndërkohë që vlera për taksën vazhdon të rritet.
31 Mars 2009