E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: “Zgjedhjet janë test për Shqipërinë dhe gur prove për integrimin”



Eljona Ballhysa

Kërkesës së ndërkombëtarëve për zgjedhje të lira e të ndershme i është shtuar dje dhe kërkesa e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Duke folur për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në forumin e organizuar nga Instituti për Studime Ndërkombëtare, presidenti Topi vuri theksin në domosdoshmërinë e realizimit të një procesi zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ndërkohë që anëtarësimin në NATO, presidenti Topi e konsideroi si rritje të përgjegjësisë për institucionet shqiptare dhe për të gjithë Shqipërinë, për të përmbushur me sukses besimin e dhënë nga aleatët.
Zgjedhjet
Zgjedhjet e 28 qershorit, Presidenti i Republikës i ka cilësuar si një test për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian. Ai tha se zgjedhjet janë guri i provës për të ecur drejt strukturave euroatlantike. “Zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit janë jo vetëm testi i Shqipërisë për të ecur më tej në anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian, por edhe guri i provës më i afërt që anëtarësimin tonë në NATO e kthen në përgjegjësi të përmbushur me sukses dhe të përligjë besimin që aleatët tanë na kanë dhënë”, - është shprehur Topi. Ai kërkoi nga partitë politike përmbushjen e standardeve të kërkuara duke realizuar një fushatë zgjedhore transparente, etike dhe me programe vizionare. “Standardet e kërkuara të zgjedhjeve politike të qershorit nuk përmbushen vetëm duke ndërtuar infrastrukturën e nevojshme zgjedhore, por edhe duke bërë një fushatë transparente, programore, vizionare dhe etike, për të ndërgjegjësuar qytetarët se vetëm nëpërmjet votës së lirë ata mund të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe ndërtimit të së ardhmes së tyre. Përpos detyrimit ligjor ndaj shtetasve të saj, politika shqiptare, nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare të muajit qershor, ka përgjegjësinë e madhe ta shkëpusë përfundimisht këtë vend nga udhëkryqet historike dhe politike”, - është shprehur Topi.
Anëtarësimi
Përsa i përket anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Topi tha se kjo shënon një kthesë të madhe në historinë e Shqipërisë, duke e rikthyer atë në gjirin e vendeve demokratike të botës. “Në fund të kësaj jave, më 4 prill, në Samitin e Strasburg-Kehlit, në ditën e shënuar të 60-vjetorit të krijimit të Aleancës, vetëm një vit pas marrjes së ftesës për anëtarësim, Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në organizatën më të madhe të demokracisë dhe të sigurimit, në NATO. Kjo datë do të shënohet në historinë e Shqipërisë si dita e kthesës së madhe, si çasti i rikthimit të Shqipërisë në vendin që i takon, si aleate e besueshme e demokracisë, e zhvillimit, e mirëqenies dhe e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar. Kjo është merita e popullit shqiptar dhe e Shqipërisë. Është meritë e një populli, i cili, si në asnjë rast tjetër, sipas të gjitha sondazheve, ka dëshmuar aspiratën e tij me rreth 96% të popullit të vet, pra e ka shprehur këtë aspiratë të tij me një përqindje jashtëzakonisht të admirueshme”, - është shprehur Topi, ndërsa ka theksuar se procesi i anëtarësimit nuk mbaron me kaq, por vazhdon me përmbushjen e reformave demokratike. “Procesi i integrimit nuk mbaron me anëtarësimin në NATO. Ai është një proces i gjatë, kompleks dhe i vështirë, që kërkon më shumë përkushtim politik, shfrytëzim më racional të burimeve njerëzore, materiale dhe financiare, si dhe zhvillim të pagabueshëm të kapaciteteve kombëtare në fushat kryesore: në atë politiko-ekonomike, të mbrojtjes e të sigurisë, të legjislacionit, të administratës dhe të sigurimit të informacionit”, - është shprehur Topi.

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›