E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: “Zgjedhjet në rrezik, Berisha të mos luajë me zjarrin”



Shaban Sulçe

Partia Socialiste rrit dozat e alarmit për rrezikun që u kanoset zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të 28 qershorit. Gramoz Ruçi, kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ka deklaruar se maxhorancës dhe kryeministrit Berisha jo vetëm që u mungon vullneti politik për të garantuar zgjedhje të lira, por kanë në plan manipulimin e tyre me anë të parregullsive dhe vonesave të qëllimshme që po shkakton qeveria për procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit. Ruçi i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga planet e tij për manipulimin e zgjedhjeve. “Sali Berisha të mos luajë me zjarrin”, - tha kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Kartat
Ruçi renditi një sërë parregullsish dhe anomalish që po shoqërojnë procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit, të cilat përbëjnë rrezik jo vetëm për dështimin e këtij procesi, por edhe për vetë zgjedhjet e 28 qershorit. Deputeti socialist tha se
sistemi i aplikimit për letërnjoftimet elektronike për shtetasit shqiptarë është një çorganizim i organizuar nga qeveria aktuale. Ai tha gjithashtu se deri tani qendrat e aplikimit janë hapur vetëm në 40% të territorit dhe se nga 331 qendra aplikimi janë hapur vetëm 143 të tilla. Ruçi denoncoi gjithashtu defektet në listat e shpërndara nga Ministria e Brendshme për shtetasit pa pasaportë. Sipas tij, janë mbi 200 mijë zgjedhës që mungojnë në këto lista. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste tha gjithashtu se zgjedhjet janë në rrezik sepse ndërsa kanë mbetur 62 ditë afat për të aplikuar, nga 900 mijë shtetas, të cilët janë pa pasaportë, deri tani kanë aplikuar vetëm 150 mijë prej tyre.

Propozimi
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së iu rikthye edhe njëherë propozimit të bërë nga selia rozë. Sipas tij, e vetmja rrugëzgjidhje që shpëton zgjedhjet e 28 qershorit është shpërndarja falas e kartave të identitetit. Ruçi tha se kryeministri dhe qeveria e tij nuk duhet të përdorin anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si slogan elektoral, por duhet të mendojnë për zgjidhje efikase, që u garanton votën të gjithë shqiptarëve. “Ky proces është në rrezik për shkak të shkeljes së të drejtës së votimit, për qindra mijëra shqiptarë të varfër që nuk blejnë dot letërnjoftimet. Shqipëria në NATO është vërtet një arritje historike e të gjithë shqiptarëve, ashtu sikurse është një ëndërr e bukur për të gjithë ne. Por Shqipëria në NATO nuk është një slogan elektoral i pushtetarëve duke i lënë zgjedhësit pa votuar. Shqipëria në NATO është për të gjithë qytetarët shqiptarë, edhe për ata qytetarë që për shkak të varfërisë kërcënohen në të drejtën e tyre për të votuar më 28 Qershor, edhe pse PSSH, ka kërkuar dhe vazhdon të kërkoj që këto karta të jepen falas. Në vend që qeveria të miratojë propozimin nga subjekti ynë politik, ajo i përgjigjet me gjysmë-lehtësira, që më shumë e komplikojnë dhe vështirësojnë procesin, sesa e zgjidhin atë. Duke e mbyllur me kërkesën për Sali Berishën: Të mos bëjë shurdhin dhe as memecin, por të dëgjojë zërin këmbëngulës të opozitës, për të mos shkelur të drejtën e shenjtë për të votuar dhe të heqë njëherë e përgjithmonë nga mendja e tij shpresën për të manipuluar zgjedhjet e 28 qershorit”.

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›