E Diel, 1 Nëntor 2026

Bello: “Qeveria në ‘dietë’ luksi, ndërsa shtetasit në krizë varfërie”



Deputeti socialist, Marko Bello, akuzon qeverinë se po shpërdoron paratë e siguruara nga taksapaguesit shqiptarë për të siguruar lukse, ndërkohë që nuk ka marrë asnjë masë konkrete për të përballuar efektet e krizës ekonomike globale në Shqipëri. Bello iu referua një lajmi në të cilin qeveria “Berisha” kishte shpenzuar shuma marramendëse për rikonstruksionin e vilave qeveritare në bregdetin e Vlorës. “Në kushtet kur vendi rrezikon të goditet nga kriza ekonomike botërore, qeveria e dietës dhe shërbesave i lejon vetes të shpenzojë taksat e shqiptarëve, a thua se jemi shteti më i pasur në Europë, e jo më i varfëri i kontinentit. Nëse do ta pyesnim kryeministrin Berisha se cilat janë masat antikrizë të qeverisë që ai ka nderin të drejtojë, përgjigjen do ta gjejmë te rreth 108 milionë lekë (1 milion dollarë) që janë tenderuar pak muaj më parë për rikonstruksionin e Vilës Qeveritare Nr. 1 në Vlorë. Shuma është afërsisht e barabartë me fondin e pagave të rreth 6 300 nëpunësve të administratës publike, ose me 10 mijë pensione në qytet, apo me 17 mijë pensione në fshat. E njëjta dukuri vihet re edhe në Kuvend, ku zonja e fortë e korrupsionit ka shpenzuar mbi 100 milionë lekë për të pajisur stafin e saj me të gjithë komoditetin, që t’u bëjë ballë sfidave dhe oreksit politik dhe mediatik të shefes. Zonja, që ngjirej për makinat e kalbura të deputetëve, ka blerë disa fuoristrada tip ‘Hunday’ për stafin e saj elektoral, i cili paguhet me rroga të majme, thjesht dhe vetëm që t’i shërbejë politikisht kryetares dhe partisë së saj”, - tha Bello.

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›