E Shtunë, 31 Tetor 2026

Impiant shkencor në fshatin SOS për trajtimin e ujërave të ndotura

Janë dashur 60 mijë euro financim nga qeveria gjermane, që banorëve të fshatit SOS në Sauk të Tiranës t’iu mundësohet trajtimi i ujërave të ndotura sipas një teknologjie tepër të lartë. Në fshatin e fëmijëve SOS, në Sauk të Tiranës, u inaugurua dje përfundimi i punimeve të impiantit të parë demonstrativ dhe shkencor për trajtimin e ujit të ndotur të kanalizimeve dhe ripërdorimit të këtij uji pas trajtimit. Impianti do shërbejë dhe si një model për Shqipërinë, për zona të vogla banimi me 500-4000 banorë, si dhe do të ofrojë mundësi reale për punime kërkimore e shkencore në fushën e trajtimit të ujit në vend. Ky impiant është ndër të parët e këtij lloji në Ballkan

Trajtimi i ujërave të ndodhura, me shtretër me filtra dhe bimësi, i një teknologjie të lartë ka nisur të aplikohet për herë të parë në vendin tonë në fshatin SOS. Është inauguruar për herë të parë në Shqipëri impianti demonstrativ dhe shkencor për trajtimin e ujërave të ndotura urbane me shtretër me filtra dhe bimësi. Inaugurimi u bë dje në fshatin e fëmijëve SOS, në Sauk të Tiranës, përfundimi i punimeve të impiantit të parë demonstrativ dhe shkencor për trajtimin e ujit të ndotur të kanalizimeve dhe ripërdorimit të këtij uji pas trajtimit. Impianti në fjalë do të shërbejë dhe si një model për Shqipërinë, për zona të vogla banimi me 500-4000 banorë, si dhe do të ofrojë mundësi reale për punime kërkimore e shkencore në fushën e trajtimit të ujit në vend. Ky impiant është ndër të parët e këtij lloji në Ballkan. Gjatë ceremonisë së inaugurimit të këtij impianti ishin të pranishëm ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, z. Sokol Olldash, ministri i Mjedisit, z. Fatmir Mediu, ambasadori gjerman, z. Bernd Borchardt, znj. Enkelejda Gjinali, këshilltare e Kryeministrit për Çështjet e Ujit dhe Drejtoresha e GTZ-së për Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij, z. Olldashi u shpreh: “Inaugurimi i këtij impianti është një ngjarje shumë e mirë për sektorin, pasi është një sektor që ka trashëguar prapambetje në Shqipëri”. Më tej, z. Olldashi shtoi: “Mund të themi që 5 vjet më parë kemi qenë në zero, pra ja kemi nisur nga zero dhe sot kemi një sërë impiantesh të trajtimit të ujërave të zeza dhe kemi projektuar në total 15 të tillë, që do t’i shërbejnë rreth 2 milionë banorëve, kryesisht në qendrat e mëdha urbane, kosto e të cilave shkon në rreth 120 milion euro, nga të cilat rreth 70% do të përballohet nga donatorët e huaj dhe 30% nga buxheti i shtetit”. “Një rëndësi i është kushtuar jo vetëm qendrave të mëdha urbane, por edhe qendrave të vogla, komunitete të vogla që variojnë nga 500, 1000, 2000 apo 4000 banorë siç është dhe impianti që po inaugurojmë sot, i cili është një model dhe një pikënisje shumë pozitive, që mund të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, duke filluar nga fshatrat me pak popullsi, por veçanërisht në zonat që shtrihen përgjatë vijës bregdetare apo edhe në zonat e alpeve, që konsiderohen si potenciale të forta turistike”, - theksoi z. Olldashi. “Projekti në fjalë e ka vlerën e vet tek ofrimi i një modeli që duhet zgjeruar tashmë në të gjithë territorin shqiptar, pasi ai garanton dy element themelor. Së pari bën një trajtim të ujërave, plotësisht në standardet e Bashkimit Evropian dhe përputhet me një filozofi të ripërdorimit të ujërave, pasi uji i trajtuar nga impianti do të përdoret për vaditjen e ambienteve të gjelbra të fshatit SOS”, - theksoi ministri Olldashi. Vlera e impiantit të inauguruar është 60 mijë euro. Ky impiant trajton ujërat për 500 banorë dhe ka një kosto operimi vjetore shumë të ulët, rreth 500 euro në vit, kosto amortizimi dhe ka nevojë vetëm për një pompë dhe një punëtor. Impiant është ndërtuar me materiale tërësisht të vendit dhe nga një kompani shqiptare. Në fund të fjalës së tij, ministri Olldashi falënderoi qeverinë gjermane për kontributin e dhënë në sektorin e ujit, znj. Enkelejda Gjinali për përkushtimin dhe asistencën e dhënë ministrisë për këtë projekt, komunitetin e fshatit SOS, që ka ndjekur këtë projekt gjatë realizimit të tij, si dhe drejtoreshën e shkollës së fshatit SOS për komoditetin që i ka krijuar firmës në ekzekutimin e projektit. Ky projekt u përshëndet edhe nga ambasadori gjerman në Tiranë, z. Bernd Borchardt, i cili vlerësoi rëndësinë e këtij projekti dhe theksoi vazhdimësinë e mbështetjes së qeverisë gjermane në këtë sektor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›