E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtimet e objekteve kulturore ndër vite

Zbehja e kujdesit të shtetit për vlerat muzeore dhe historike të qytetit të Beratit ka nisur që para 1990-ës dhe pse shteti komunist kishte vendosur ligje të forta, një organikë të plotë dhe fonde të bollshme restauruese. Shteti i administronte objektet dhe i mbronte ato nëpërmjet pushtetit lokal. Ndërsa studimet dhe restaurimet ishin detyrë e Degës së Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës. Por pas vitit 1990, ekuilibrat e prishur nuk i përfillën më rregullat e rrepta dhe i konsideruan ato të tejkaluara. Pushteti vendor thuajse u shkëput prej tyre, pasi me urdhra e shkresa verbale, muzetë u kaluan në administrim instancave qendrore të shtetit. Por kjo vartësi vertikale i la ato jashtë kontrollit, pa fonde mbrojtëse e restauruese, duke favorizuar gjymtimin dhe rrënimin e shpejtë, por edhe bastisjen misterioze të shumë objekteve me vlera arti, kulture e historike. Mungesa e autoritetit të shtetit favorizoi ndërtimin me dhe pa leje të qindra banesave private, që dëmtuan rëndë objektet muzeore, ndërtesat dhe fasadat e lagjeve antike. Shumë banesa qytetare në lagjet muzeore "Mangalem", "Goricë" e "Kala", u tjetërsuan nga prishjet dhe shtesat pa kriter, shumë të tjera ndërruan pronar, duke u populluar me banorë të rinj që nuk ua dinin vlerën dhe rregullat e mirëmbajtjes dhe vetë restaurimit të tyre. Disa kisha mesjetare mbetën pa roje, duke u bërë pre e shkatërrimeve dhe e grabitjeve të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›