E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet lokali në mesnatë, dyshime për klientët

Një lokal në qendër të qytetit të Fierit është bërë objekt vjedhjeje në orët e para të mëngjesit të së dielës. Lokali ndodhet vetëm 200 metra larg drejtorisë së policisë së qarkut, ngjitur me murin e institucionit të prefekturës.

Lokali është marrë me qira nga një e re 36-vjeçare, e cila mësohet se e administron atë së bashku me dy kameriere. Sipas burimeve të policisë, mësohet se vjedhja e lokalit është konstatuar nga administratorja, e cila ka njoftuar menjëherë uniformat blu. Mësohet se deri pas mesnate lokali ka qenë në shërbim. Ajo ka vënë në dispozicion të policisë të dhëna të hollësishme për klientët e një nate më parë, pasi i kishte edhe njerëz të njohur. Pikërisht te këta dyshon edhe policia. Lokali është vjedhur pa shkaktuar asnjë thyerje apo dëmtim, çka e bën policinë të dyshojë se autorët kanë qenë persona të afërt me administratoren e lokalit. Kujtojmë se vala e vjedhjeve ka shpërthyer frikshëm këtë vit në Fier. Një ditë më parë janë bastisur disa lokale në lagjen "15 tetori" të qytetit.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›