E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtimet, shqetësimi kryesor i trajnerëve

Në prag të fundjavës dhe mesjavës së ardhshme të ndeshjeve eliminatore të Evropianit 2008, dëmtimet duket se janë kryefjala e shqetësimeve për trajnerët evropianë, të cilët kanë filluar të bëjnë që tani llogaritë. Më poshtë vijon një pasqyrë e gjendjes fizike dhe disiplinore të skuadrave të ndryshme, që do të luajnë në fundjavë.
Sulmuesit e Francës, Luis Saha (i dëmtuar në kofshë) dhe Sidni Govu (i dëmtuar në kavilje), janë në dyshim për udhëtimin e së shtunës drejt Skocisë, sipas trajnerit të "Les Bleus", Rajmond Domenek. "Do të shohim si do të shkojnë gjërat, - tha ai. - Kemi ende pak kohë në dispozicion." Më pas, Franca pret të mërkurën e ardhshme në fushën e vet Ishujt Faroe. Ndërkaq, në krahun tjetër, mbrojtësi i Kardifit, Kevin MekNoton (tërheqje muskulare) është tërhequr nga përfaqësuesja e Skocisë për ndeshjen e së shtunës, si për ndeshjen tjetër të vlefshme për grupin B qualifier, atë të së mërkurës në Ukrainë. Dëmtimi i MekNotonit e lë trajnerin Uollter Smith me mungesa në sektorin e mbrojtjes, pasi kishte humbur më parë edhe shërbimet e mbrojtësit të djathtë të Riding, Grem Mërti (tërheqje muskulare) dhe ato të mbrojtësit të majtë të Evertonit, Geri Nejsmith (i dëmtuar në gju). Xhejms MejFejdën dhe David Uir do të luajnë një ndeshje këto ditë me rezervat e Evertonit, për të parë se cila është forma e tyre fizike.
Po kështu, Spanja do të jetë pa mesfushorin e Realit të Madridit, Hozé Antonio Rejes, për ndeshjen eliminatore të Euro 2008-s, kundër Suedisë të shtunën dhe miqësoren e të mërkurës me Argjentinën, pasi ai ka pësuar një tërheqje të vogël muskulare në pulpën e tij. Në vend të tij është thirrur mesfushori i Seviljes, Antonio Puerta. Për shkak të dëmtimin, edhe Fabio Groso është lënë jashtë skuadrës përfaqësuese të Italisë për dy ndeshjet eliminatore, atë kundër Ukrainës të shtunën dhe Gjeorgjisë të mërkurën, pasi dëmtoi kofshën e tij të majtë në atë barazim 1-1 të Interit në fushën e Kaljarit të dielën. Kampioni i botës pritet të mungojë në fushën e blertë për afro dy javë.
Një tjetër dëmtim në kofshë nënkupton se mbrojtësi Milan Bishevac nuk do të luajë në dy ndeshjet eliminatore të Serbisë në grupin A, kundër Belgjikës dhe kundër Armenisë. Mjekimi nuk arriti ta kthejë atë në fushë brenda kohës së parashikuar dhe duket se periudha e tij e rekuperimit do të jetë më e gjatë se c'pritej. Ndërkaq, trajneri i përfaqësueses së Republikës Ceke, Karel Brykner i ka shtuar mesfushorin me tipare mbrojtëse, Martin Abraham, dhe atë të krahut, Zdenek Pospek, grupit të tij për dy ndeshjet eliminatore të radhës, atë kundër San Marinos dhe Irlandës. Debutuesi Abrahám, tashmë 28-vjec, zëvendëson Tomásh Galláshekun (i cili ka dëmtuar gjurin), ndërsa Pospeku zëvendëson Libor Sionkos, që ka dëmtuar kofshën. Mesfushori i Spartës së Pragës, Tomásh Sivok, i cili duhet t'i nënshtrohet një operacioni për një tërheqje muskulare, do të mungojë gjithashtu në këto dy ndeshje eliminatore, të vlefshme për grupin D.
Trajneri i Izraelit, Dror Kashtan, nuk do të ketë në dispozicion sulmuesit Janiv Katan dhe Omer Golan, për ndeshjen eliminatore të grupit E, të shtunën kundër Rusisë. Katani po vuan një problem në stomak dhe një tërheqje muskulare, për të cilat mund t'i nënshtrohet operacionit. Po kështu, edhe Golani vuan një dëmtim muskular, ndërsa mbetet reale shqetësimet për formën fizike të Josi Benajunit dhe Tal Ben Haim, pasi të dy morën goditje gjatë ndeshjeve me klubet e tyre në fundjavë në Premier Ligën angleze.
Trajneri i Greqisë, Oto Rehagel, ka thirru në skuadrën përfaqësuese edhe mbrojtësin e Olimpiakosit, Hristos Patsatzoglu, për ndeshjet eliminatore të grupit C, kundër Norvegjisë dhe Bosnje-Hercegovinës, pas dëmtimeve të Panajotis Lagosit dhe Dimitrios Papadopulosit. Mbrojtësi tjetër i Olimpiakosit, Mihalis Kapsis, ishte gjithashtu në listën e Rehagelit, por është ende duke u mjekuar dhe kështu që nuk do të jetë i gatshëm. Mesfushori me tipare mbrojtëse i Majorkës, Angelos Basinas, pësoi një dëmtim në ndeshjen kundër Vijarealit në fundjavë në kampionatin spanjoll dhe është në dyshim për ndeshjen e grekëve të shtunën në fushën e vet kundër Norvegjisë, ndonëse duhet të jetë i gatshëm për udhëtimin drejt Bosnje-Hercegovinës.
Ndërkaq, ka patur ndryshime të konsiderueshme në skuadrën përfaqësuese të Bjellorusisë për ndeshjet eliminatore të vlefshme për grupin G, kundër Rumanisë dhe Sllovenisë, pas Vasili Khomutovski, Vitali Kutuzov dhe Dmitri Molosh, nuk do të luajnë për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar. Trajneri Juri Puntus i Bjellorusisë, që në ndeshjen e parë eliminatore, të luajtur në Minsk, ka barazuar 2-2 me Shqipërinë, ka thirrur mbrojtësin e përfaqësueses U-21, Pavel Plaskoni, si dhe i ka kërkuar Sergei Gurenkos që t'i japë fund vetëpërjashtimin nga radhët e skuadrës përfaqësuese. Mbrojtësi i Lokomotivës së Moskës ka luajtur për herë të fundit me fanellën e Bjellorusisë para më shumë se një viti, pas një mosmarrëveshjeje që kishte me ish-trajnerin Anatoli Baidacnji, dhe po e shqyrton mundësinë e kthimit në përfaqësuese.
Altin B. Kodra

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›