Nuk zhvillohet përballja shqiptaro-serbe, Trepça - Bambi

Përballja mes Trepcës dhe skuadrës serbe Bambi që ishte paraparë të zhvillohet në kuadër të javës së parë të Superligës së Kosovës në basketboll nuk është zhvilluar fare. Skuadra minoritare nga qyteti verior i Kosovës nuk është paraqitur në fushën e lojës dhe pas 15 minutave pritjeje treshja e gjyqtarëve Gashi, Zeka dhe Mehmeti bashkë me vëzhguesin e ndeshjes kanë vendosur që takimi të regjistrohet me rezultatin zyrtar 20:0 në të mirë të Trepcës.
Klubi serb i Mitrovicës nuk ka dhënë asnjë shpjegim zyrtar për arsyen e bojkotimit të takimit nga ana e tyre, por spekulohet se një gjë e tillë ka ardhur pas presioneve dhe kërcënimeve që zyrtarët e skuadrës serbe kanë pasur nga bashkëkombas të tyre nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës.
Skuadra e basketbollit "Bambi" është skuadra e parë serbe që kishte pranuar të bënte gara në kampionatin kosovar të basketbollit dhe një nga rastet e rralla në të gjithë sportin kosovar. Federata e Basketbollit të Kosovës me një vendim të bordit i kishte mundësuar skuadrës serbe pjesëmarrjen në kategorinë elite të basketbollit të Kosovës.