Domenek: Francë, harroje Botërorin 2006!

Franca duhet ta lërë pas shpine atë që arriti në Botërorin e këtij vit dhe të bëhet gati për një ndeshje të fortë, të vlefshme për eliminatoret e Euro 2008-s, të shtunën përballë Skocisë, ka këmbëngulur dje trajneri i "bluve", Rajmond Domenek. "Ndeshja kundër Skocisë është e para provë reale në rrugën tonë drejt Kampionatit Evropian, - deklaroi Domenek, duke folur për gazetarët. – Deri më tani, ne kemi jetuar në euforinë e Botërorit." Franca e filloi fushatën e saj në grupin B me një fitore 3-0 kundër Gjeorgjisë dhe, më pas, vijoi me atë fitore mbresëlënëse, 3-1 kundër kampiones së sapokurorëzuar të botës, Italisë, muajon e shkuar.
Gjithsesi, fitorja ndaj Italisë ishte më tepër një hakmarrje për atë humbje në finalen e Botërorit 2006, pas goditjes së 11-metërshave, sesa një hap drejt Euro 2008-s. "Kjo ndeshje (ndaj Skocisë), i ka të gjitha përbërësit e një prove të madhe, - theksoi Domenek. - Ne presim të përballemi me një sfidë të fortë fizike dhe teknike dhe që do të luhet në prani të një numri të madh tifozësh të zjarrtë." Në këtë ndeshje diskutohet gjithashtu edhe vendi i parë i renditjes, pasi janë skocezët ata që kryesojnë, së bashku me Francëm, por me një golaverazh më të mirë, pasi kanë shpartalluar Ishujt Faroe me rezultatin 6-0 dhe kanë fituar 2-1 në Lituani.
Domeneku i ka paralajmëruar lojtarët e tij kundër vetëkënaqjes dhe euforisë dhe ka deklaruar se konkurrenca për një vend në 11-shen e parë do të vijë duke u rritur. "Për momentin, njëfarësoj përparësie u është dhënë atyre që morën pjesë në Botëror, - tha trajneri i Francës. - Por, kjo situatë nuk do të vazhdojë edhe aq. Dëshiroja të bëja të qartë se vazhdoja të mbështetesha ende te ata lojtarë që mora me vete në Botëror, por, tani, duhet të mendojmë për të ardhmen dhe të përgatitemi për të." Domenek, skuadra e të cilit të mërkurën vijon me ndeshjen kundër Ishujve, ka thirrur në përfaqësuese edhe dy lojtarë të rinj, mesfushorin e Lionit, Zheremi Tulalan dhe mbrojtësin e Seviljes, Zhylien Eskyde.
"Ne tashmë kemi zhvilluar një mënyrë tonën të të bërit të gjërave dhe unë nuk kam aspak ndërmend që ta prish gjithcka vetëm për një tekë, - këmbënguli Domenek. - Unë do të përdor atë që më jep më tepër rezultat apo ato që unë mendoj se do të funksionojë." Kur thotë këtë, është e qartë se Domenek nuk dëshiron kurrsesi të përsërisë atë gabim që i kushtoi paraardhësit të tij, Rozher Lëmer postin në 2002-shin, pasi Franca u trondit nga ai eliminim i turpshëm nga Botërori i atij viti. Lëmer ruajti po atë skuadër të përbërë nga anëtarë të kontigjentit kampion bote të Botërorit 1998 dhe atij kampion evrope, të Euro 2000-s, dhe "Les Bleus" u eliminuan që në ndeshjet në grup në Botërorin aziatik.