Dëmtimet, ujëmbledhësi i Shtodrit rrezikon Shkodrën nga përmbytja
SHKODER - Ujëmbledhësi i Shtodrit në Shkodër gjendet në mëshirë të fatit. Diga e këtij rezervuari ka filluar të dëmtohet nga ndërhyrjet e pakontrolluara të personave të ndryshëm duke i marrë gurët e digës, nga koha e gjatë e funksionimit të tij si dhe nga mosvënia dorë prej rreth 40 vitesh, që nga koha kur është ndërtuar. Sipas specialistëve, në rast të çarjes së ujëmbledhësit, ai rrezikon të përmbytë jo vetëm tokat e komunës së Postrribës, por dhe të qytetit të Shkodrës. Apelin për të shmangur këtë katastrofë e bën Faz Shabaj, kryetari i komunës Postrribë. Megjithëse është një vepër e rëndësisë së veçantë, për rikonstruksionin e saj janë akorduar 30 milionë lekë, shumë kjo që sipas tij është e pamjaftueshme që diga të garantojë një funksionim normal. Aq më tepër që jemi në stinën e shirave e më pas dimrit. Mungesa e fondeve ka bërë që ky rezervuar të dëmtohet në disa vende, duke nxitur frikën për rrezikun që përmban. Riparimet e pjesshme të bëra herë pas here nuk kanë qenë të mjaftueshme. Marrja e gurëve nga diga dhe dëmtimi i sistemit marrës të ujit nga lumi Kir kanë bërë që rreziku të jetë imediat. Ujëmbledhësi i Shtodrit ka qenë herë pas here në vëmendjen e krerëve vendorë të Shkodrës, të cilët kanë ngritur shqetësimin për rikonstruksionin e digës së tij, pasi përmbytja e qytetit do të ishte e paevitueshme, nisur nga sasia e ujit që ndodhet brenda tij. Për menaxhimin e situatës emergjente, e cila paraqitet në rezervuarin dhe në kanalin e Shtodit, sipas kryetarit të komunës, Faz Shabaj, i është dërguar edhe një shkresë zyrtare instancave më të larta të shtetit, me qëllim marrjen e masave në parandalimin e një përmbytjeje të mundshme. Sipas kreut të komunës, Shabaj, qeveria i ka akorduar Bordit të Kullimit një fond prej 30 milionë lekësh për rikonstruksionin e ujëmbledhësit. Fondi ka qenë për minimizimin e rrezikut, por ai është fare i ulët në lidhje me nevojën për të forcuar digën e këtij ujëmbledhësi si dhe të mbajtjes në kushte optimale të kanalit të shkarkimit të tij në rast të tejmbushjes me ujë të rezervuarit. Kjo vepër ndodhet vetëm 5 km larg qytetit të Shkodrës dhe para viteve '90 shërbente për të furnizuar me ujë zonat industriale. r.d