Informaliteti, tregtarët e peshkut protestë para bashkisë
KORÇE - Tregtarët e peshkut në Korçë protestuan dje kundër informalitetit. Vetëm 20 metra larg merkatos së peshkut në këtë qytet, çdo mëngjes tregtohen cironka dhe peshk të gjuajtur në liqenin e Prespës së Madhe. Janë 10-15 gra të minoritetit maqedonas, të cilat sjellin arkat me gjallesat e liqenit me linjat e urbanit, që zbret nga zona e Prespës. Më pas në shesh, pa pasur asnjë kusht higjenik ato tregtojnë mallin e tyre. Ky ritual ka dhjetë vjet që përsëritet çdo ditë. Përpjekjet e bashkisë për ta shmangur këtë tregti të paligjshme nuk kanë dhënë rezultat. Gratë, që vijnë nga fshatrat buzë liqenit të Komunës së Liqenasit dhe shesin cironkat e peshkun brenda disa orëve, janë gjobitur disa herë. Ato vazhdojnë të rrezikojnë duke pretenduar se është e vetmja mundësi për të siguruar bukën e përditshme. Tregtia e tyre informale konkurron rëndë tregtarët e merkatos së peshkut. Për të shmangur këtë konkurrencë ata organizuan dje një protestë para Bashkisë së Korçës. Ata janë të licencuar dhe sipas ligjit derdhin në arkën e shtetit taksat e detyrueshme, ndërsa tregtaret e mësipërme nuk japin asnjë taksë. Për këtë arsye shitësit e peshkut kërkuan të disiplinohet kjo tregti që i konkurron përditë në mënyrë të paligjshme. "Ne nuk themi të mos shesin edhe ata mallin e tyre, por të zhvillojmë tregti me kushte të barabarta. Bashkia t'i detyrojë të paguajnë taksa, siç paguajmë edhe ne", u shprehën dje tregtarët protestues. j.gj