E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, vdes i ati i Zani Çaushit

 

BURREL/ HASAN PASHA

Dhjetë ditë pas vizitës që Zani Çaushi i bëri të atit të sëmurë në Vlorë, i dënuari i përjetshëm mori lajmin e rëndë për humbjen e tij. Shemedin Çaushi, 82 vjeç, ndërroi jetë dy ditë më parë, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Autoritetet e burgut të Burrelit, ku "i forti i Çoles" vuan dënimin, mundësuan që i burgosuri të mund ta shihte sa ishte gjallë të atin. Por, ai nuk ka mundur të jetë pranë familjes ditën e ceremonisë së varrimit. Mësohet se Zani jo vetëm që nuk ka bërë kërkesë, por dhe nëse do kishte ndodhur kjo, autoritetet e burgut të sigurisë së lartë sqarojnë se do ta mohonin, për shkak të angazhimit maksimal që kërkonte ruajtja e të dënuarit të përjetshëm. Më 9 shtator të këtij muaji, drejtori i burgut të Burrelit, Shkëlqim Gjoçuka dhe efektivë të Policisë së Burgjeve mundësuan udhëtimin e Zani Çaushit nga Burreli në Vlorë dhe anasjelltas brenda 10 orëve, ku i dënuari vizitoi të atin e sëmurë rëndë. Menjëherë pas kthimit nga Vlora mësohet se i burgosuri i ka dërguar një letër falënderimi drejtorit të burgut të Burrelit dhe autoriteteve të tjera të burgjeve që e lejuan ta shihte babanë në ditët e fundit të jetës. Dy net më parë, njerëz të afërm të familjes së tij kanë njoftuar drejtorin e burgut, Shkëlqim Gjoçuka se "babai i Zanit ndërroi jetë". Pas njoftimit që mori drejtori i këtij institucioni realizoi një takim me Zanin dhe i komunikoi atij lajmin e hidhur: "Të rroni me kë keni për zemër, sepse babai ka ndërruar jetë", kanë qenë fjalët e para të Gjoçukës, ndërkohë sytë e Çaushit janë mbushur me lot. "Bëhu i fortë dhe të rroni me pjesëtarët e tjerë të familjes", ka vijuar komunikimin e shkurtër dhe prekës drejtori i burgut të Burrelit. Sapo të dënuarit e tjerë kanë mësuar lajmin e dhimbshëm i janë drejtuar qelisë së Zanit për ta ngushëlluar. "Afro 200 të dënuar janë lejuar të takohen me Zani Çaushin dhe ta ngushëllojnë për vdekjen e babait", thanë burime të sigurta pranë këtij institucioni. Me dhimbje e lot ata i kanë shprehur ngushëllime Zanit në mënyrën e tyre. Myslimanët e dënuar zakonisht kanë përdorur shprehjen e njohur: "Të rroni me të tjerët", ndërkohë të dënuarit katolikë: "Kryet shëndoshë". Zani u ka servirur të gjithëve cigare dhe i ka falënderuar të dënuarit që i janë gjendur pranë në këto momente të vështira për të. "Dy javë më parë arrita ta shoh babanë për së gjalli. Drejtori i burgut ma bëri këtë nder dhe nuk do t'ia harroj sa të rroj. E kuptova se nuk do të jetonte", u është shprehur Zani bashkëvuajtësve gjatë vizitave të tyre në qeli. Mësohet nga burime konfidenciale se nuk ka pasur një kërkesë me shkrim nga ana e Zani Çaushit për leje, për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të të atit. Ndërkohë drejtoria e burgut nuk ka pasur mundësi të realizojë transportimin e Zanit dy herë brenda një periudhë të shkurtër nga Burreli drejt Vlorës. Ndërkaq, burime të besueshme informacioni sqarojnë se dërgimi i Zanit në Vlorë nuk është realizuar për shkaqe sigurie, pasi dihet se në ceremoninë mortore ka pasur një numër të madh njerëzish dhe askush nuk mund t'i siguronte Çaushit jetën nga ndonjë ngjarje e mundshme. Nuk thuhet gjithashtu nëse në ditët që vijnë Zani do të udhëtojë drejt Vlorës për të ngushëlluar të afërmit e tij pas humbjes se njeriut më të dashur, babait.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›