Granatë pronarit të firmës,i pezulloi gruan nga puna
BERAT/ DILAVER XHELILI
I pezullojnë gruan nga puna, tenton të vrasë me granatë pronarin e firmës.Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të së hënës kur 50-vjeçari Iljaz Muka për pak sa nuk shkaktoi tragjedi në njërin nga lokalet e qytetit të Beratit.
Fatmirësisht policia arriti të ndërhyjë në kohë duke neutralizuar granatën, e cila sipas burimeve, nëse do të shpërthente kishte një rreze rreth 200 metra. Mësohet se 50-vjeçari, banues në lagjen "Barrikada" të Beratit ishte punonjës në firmën e pastrimit të qytetit së bashku me bashkëshorten e tij. Por punëdhënësi i tyre, Niko Sinjari, tre ditë më parë i kishte pezulluar Mukës të shoqen nga puna. I acaruar nga ky veprim, ai ka marrë një granatë defensive me qëllim për të vrarë pronarin e firmës në shenjë hakmarrje. Me granatë në xhep është nisur në lokalin e shtetasit M. Monka, në lagjen "10 Korriku" ku ndodhej edhe punëdhënësi i tij. Pasi lokalizoi vendin ku ndodhej Sinjari, 50-vjeçari i kërkoi atij të dilte nga lokali për të sqaruar diçka. Por me sa duket, pronari i firmës e ka nuhatur rrezikun dhe i ka kërkuar punëtorit të tij ta priste për pak momente derisa të mbaronte një bisedë me dy miqtë e tij. Përgjigjja e Sinjarit e ka acaruar më shumë Mukën, i cili nuk ka pritur më por i është afruar tavolinës ku ai ishte ulur. Pasi e ka sharë dhe ofenduar, ata janë kacafytur derisa 50-vjeçari papritmas ka nxjerrë nga xhepi granatën. Ky veprim i tij ka stepur të gjithë ata që ndodheshin brenda. Për fat të mirë, policia e cila ishte sinjalizuar që në momentet kur nisi debati, mbërriti në vend dhe ndërhyri në kohë duke shmangur edhe tragjedinë e mundshme. Sipas policisë, në momentin e ndërhyrjes, Muka, kishte nxjerrë granatën së cilës i kishte hequr edhe siguresën. Oficerët e policisë arritën t'i bllokojnë dorën dhe të bëjnë neutralizimin e menjëhershëm të granatës defensive që ishte gati për të shpërthyer. Më pas blutë kryen edhe arrestimin e 50-vjeçarit, i cili pohoi se donte ta vriste pronarin pasi i kishte hequr gruan nga puna. Pronari i firmës së pastrimit të qytetit, i kontraktuar nga bashkia, Niko Sinjari, pohoi dje se e kishte pezulluar bashkëshorten e Mukës, pasi ndaj saj kishte pakënaqësi për punën. Sipas tij, pezullimi i saj kishte qenë më së shumti në shenjë të një paralajmërimi, pasi ai nuk e kishte larguar atë përfundimisht nga puna. Ai i shpëtoi mrekullisht shpërthimit të granatës, ndërsa ka rrëfyer në polici motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Blutë sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe granatën defensive.