E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbarkojnë 60 autobusë me nxënës kosovarë

 

VLORE - Bulevardi i Vlorës, bregdeti si dhe muzetë pushtohen nga qindra nxënës të shkollave të mesme të Kosovës. Fëmijë të ardhur nga shkollat e Prishtinës, Gjilanit, Ferizajt, Kamenicës etj., zbarkuan dje që herët në mëngjes nga 60 autobusë. Falë bashkëpunimit të Ministrisë së Arsimit dhe të drejtorive të shkollave respektive ishte organizuar ekskursioni me rastin e çeljes të sezonit shkollor 2009-2010. Nxënësit kosovarë sapo kanë mbërritur në Vlorë kanë përshkruar në këmbë pjesën bregdetare nga zona e Skelës deri në zonën e Ujit të Ftohtë për të shijuar bukuritë e bregdetit. Shumë prej tyre nuk i rezistuan dot detit dhe u futën për t'u larë. "Nuk mundesha të kthehesha në Gjilan pa u larë në det edhe pse nuk kisha marrë rroba banje me vete. U futa gjysmë i zhveshur", pohoi një nga nxënësit, i cili vinte nga shkolla e Gjilanit. Mbas xhiros në bregdet, fëmijët kosovarë vizituan muzeun historik të Pavarësisë, si dhe atë arkeologjik dhe muzeal. Radha e tyre për të vizituar muzetë e Vlorës ishte e gjatë. Shumë prej tyre e vizitonin për herë të parë Vlorën. Në mesditë, nxënësit vizituan shumë njësi tregtare dhe dyqane në qytet duke mbipopulluar e dhënë gjallëri në bulevardet e Vlorës. Mbasi kanë kaluar edhe një drekë të këndshme në bregdet ata janë rikthyer për të qëndruar gjatë natës në qytetin e Durrësit. "Donim të flinim në Vlorë, por organizatorët na kanë akomoduar në Durrës", pohoi një nga nxënësit. Sipas organizatorëve tashmë është shumë më e lehtë për të ardhur në Vlorës, sepse rruga është bërë shumë e mirë dhe shumë e shkurtër. "Brenda 5 orësh vjen në Vlorë", u shprehën ata. Ndërsa akomodimi i nxënësve në hotelet e Durrësit sipas organizatorëve ka të bëjë me çmimin më të ulët të hoteleve. "Vlora ka më shumë luks në hotele, por çmimi është më i lartë", thanë organizatorët.                                         q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›