Fshatrat e Skraparit 6 muaj pa sinjal TV
SKRAPAR - Prej 6 muajsh fshatrat e Skraparit nuk kanë sinjal televiziv, madje as televizorin publik shqiptar për të cilin banorët paguajnë taksat vjetore. Burime nga Bashkia e Çorovodës bënë të ditur se për shkak të dobësimit të sinjaleve që përcillen nga antenat që ndodhen shumë larg, kjo zonë tashmë është e privuar të informohet përmes ekranit. Burime nga komuna e Çepanit, ku në përbërje të saj ka 7 fshatra pohuan se prej 6 muajsh nuk kanë asnjë sinjal. Për këtë shkak drejtuesit e komunës ia kanë bërë të ditur këtë shqetësim bashkisë së qytetit si dhe pushtetit qendror, por deri më tani nuk është gjetur një zgjidhje. Përgjigjja e vetme e tyre ka qenë sugjerimi për të blerë karta dixhitale. Por kjo përgjigje i ka acaruar banorët të cilët jetojnë në zona të varfra dhe nuk kanë mundësi financiare për të blerë një paketë të tillë. "Ne nuk kemi lekë për të blerë bukë dhe jo të marrim kartën dixhitale", u shprehën banorë të kësaj zone. Banorët paralajmërojnë se nuk do të paguajnë taksat vjetore të TVSH-së nëse nuk do të ndërhyhet për situatën. d.xh