Në pranga 2 turq me pasaporta false
DURRES - Dy shtetas turq përfundojnë në prangat e policëve të kufirit të Durrësit, teksa tentonin të kalonin ilegalisht në Itali. Arrestimi i 38-vjeçarit Mehmet Sahbaz dhe i bashkëmoshatarit të tij Davut Demirkapu, që të dy banues në qytetin Afyon-Emirdag të Turqisë është kryer në orët e vona të natës, pak metra larg tragetit "Tirrenia" të linjës së Barit. Mësohet se Mehmet Sahbaz po tentonte të kalonte kufirin duke paraqitur përpara policisë doganore një pasaportë turke, brenda së cilës ndodhej e vendosur një vizë e falsifikuar franceze. Dy turqit janë paraqitur paksa të nervozuar në orën 22:00 teksa dorëzuan dokumentin në pikën e kalimit të kufirit. Ky fakt nuk kaloi pa u kuptuar nga punonjësit e policisë, të cilët nisën kontrollin e detajuar kompjuterik të pasaportave dhe vizave. Diçka në data-base nuk shkonte dhe policia jo vetëm i refuzoi hyrjen në traget, por edhe i shoqëroi në komisariat. Pyetjeve të policisë ata i përgjigjeshin në turqisht, ku pretendonin se "vizat i kishin marrë në ambasadë". Bashkëmoshatari i Sahbaz shpresonte të kalonte në Itali duke paraqitur një pasaportë, ku ishte shënuar një vizë gjermane e falsifikuar. Mbi dy turqit rëndon akuza e formuluar nga Prokuroria e Durrësit "falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave". Fakti që dy persona nga i njëjti qytet kapen me dokumente false ka bërë që hetimi të kryhet i imtësishëm, pasi ekziston mundësia që një rrjet ndërkombëtar të mundësojë pajisjen me viza false. o.u