Seman, shpëton nga mbytja 12-vjeçarja
Një vajzë 12-vjeçare nga qyteti i Fierit për pak i ka shpëtuar mbytjes në det. Mësohet se Emanuela B. kishte shkuar me familjen e saj për të kaluar fundjavën në plazhin e Semanit. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, kur vajza kishte hyrë në det për t‘u larë bashkë me disa bashkëmoshatarë të saj, që kishin shkuar për plazh. Deti i trazuar ka bërë që vajza të tërhiqet nga dallgët në thellësi dhe të bjerë në një gropë thithëse. Fatmirësisht pranë saj kanë qenë plazhistë të tjerë, të cilët kanë mundur ta tërheqin vajzën nga vorbulla e gropës thithëse dhe ta nxjerrin në breg të detit. Vajza është nxjerrë gati e asfiksuar dhe është dërguar me urgjencë për në spitalin rajonal të Fierit, ku është vënë në kujdesin e mjekëve të urgjencës. Mjeku reanimator, që ka asistuar në momentin kur ka mbërritur 12-vjeçarja ka pohuar për "Shqip" se vajza i është nënshtruar menjëherë procesit të aspirimit dhe është bërë i mundur shpëtimi i jetës së saj. Mësohet se vajza ndodhet ende në spital nën kujdesin e bluzave të bardha dhe paraqet përmirësime të gjendjes shëndetësore. Ajo ka mundur të flasë, ndonëse është ende e trembur nga ajo që i ka ndodhur.