Gjini: “Nga Temeshvari te Menikini, pse dështuan te Tirana”

Tirana ka parë në drejtimin e saj përvec emrave më të spikatur të trajningut shqiptar edhe tre trajnerë të huaj, duke filluar nga hungarezi Miklosh Temeshvari (2000-2001), boshnjaku Enver Haxhiabdic (2002-2003) dhe italiani Leonardo Menikini (2005).
"Temeshvari ishte një trajner shumë i mirë", - thotë Gjini. "Ishte një teknik i FIFA-s, i cili jepte leksione trajnerëve në seminare të organizuar nga FIFA. Punoi me Tiranën në kohën e presidentit El-Sajed, por nuk e pati të gjatë kohën e qendrimit, madje nuk e përfundoi as sezonin. U largua pas një rezultati negativ në Berat me Tomorin. Atë vit Tirana humbi kampionatin". Pas largimit të profesorit hungarez, një boshnjak do të guxonte të drejtonte klubin e famshëm shqiptar.
"Enver Haxhiabdic ishte një teknik mbi nivelin e teknikëve shqiptarë. Ishte njeri i qetë. Ndenjti shumë pak. Nuk arriti të kuptonte kampionatin shqiptar dhe mentalitetin e futbollistëve që drejtonte. U largua pas një ndeshje derbi Partizani-Tirana, ku ekipi ynë humbi". Italiani Leondardo Menikini u bë trajneri i dytë i huaj që drejtoi një skuadër shqiptare, pas Ticiano Gorit, i cili drejtoi për një gjysmë sezoni Partizanin (2002).
"Menikini ishte një trajner i vërtetë profesionist, një teknik i përkryer. Realizonte stërvitje në mënyrë profesionale, solli elementin teknik italian në Shqipëri. Erdhi për një projekt të madh. Nuk u kuptua aq sa duhet dhe u largua pas katër muajsh". Po përse u larguan ata. Nuk patën cilësinë e duhur, apo u dorëzuan para presionit të lojtarëve shqiptarë. "Ata sollën një risi në kampionatin shqiptar, si në stërvitje ashtu dhe në drejtimin e ndeshjeve. Në Shqipëri ekziston një mungesë profesionalizmi nga ana e lojtarëve, të cilët nuk arritën të asimilojnë skemat e tyre dhe të zbatojnë rregullat strikte që ata imponuan".