Dëmtohet kablloja, pika kufitare 5 ditë pa energji elektrike
Pika e kalimit kufitar në Portin e Vlorës, që prej 5 ditësh është zhytur në errësirë të plotë, si pasojë e mungesës së energjisë elektrike. Situata e krijuar ka vështirësuar punën në kalatën portuale të përpunimit të pasagjerëve dhe të mallrave që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria. Sipas përfaqësuesve të pikës së kalimit kufitar të Portit të Vlorës, energjia elektrike është ndërprerë që prej 5 ditësh dhe këto ditë është punuar me gjenerator për të bërë kontrollin e pasaportave dhe të dokumenteve të tjera, të emigrantëve dhe turistëve që hyjnë në këtë pikë kufitare. Mësohet se gjeneratori përdoret vetëm për përpunimin e të dhënave dhe më pas ai fiket, duke e rikthyer territorin e portit sërish në errësirë. Ndërkohë, drejtuesit e Ndërmarrjes Elektrike të Vlorës kanë deklaruar se ndërprerja e energjisë 5-ditore ka ardhur si pasojë e dëmtimit të një kabulli rreth 200 m i gjatë, që përshkon zonën e portit deri te kabina nga ku bëhet furnizimi me energji elektrike. Sipas drejtuesve, defekti është tentuar të riparohet disa herë, por pa sukses, pasi kabulli është i dëmtuar në disa pjesë. Po sipas përfaqësuesve të elektrikut në kabinën e portit shkojnë dy linja 60 kv dhe 20 kv, por këtë të dytën Drejtoria Portale, ndonëse kompetencë e saj, nuk e ka shtruar akoma. Mësohet se energjia elektrike do të mungojë dhe gjatë ditës së sotme në pikën kufitare të Portit të Vlorës.