Vetëhelmohet infermierja e spitalit, prokuroria nis hetimet
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes, pas vdekjes së një 45-vjeçareje, nënë e dy fëmijëve. Burime nga policia bëjnë të ditur se, Liljana Lorja, infermiere në spitalin rajonal të Durrësit është vetëhelmuar me fostoksinë. Gruaja është dërguar fillimisht në spitalin e qytetit bregdetar, në gjendje të rëndë ku ka marrë ndihmën e parë nga kolegët e saj dhe më pas është dërguar për në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, pasi gjendja e saj ka qenë shumë e rëndë. Por me gjithë tentativat, gruaja nuk ka mundur t‘i mbijetojë helmit dhe ka gjetur vdekjen. Nga deklarimet e dhëna paraprakisht dhe hetimet e para dyshohet se ajo ka konsumuar një sasi të konsiderueshme helmi që përdoret kundër brejtësve, fostoksinë. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se pas kryerjes së veprimeve të para hetimore për këtë ngjarje, materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për shkaktim të vetëvrasjes, vepër kjo e parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal. Hetimet e mëtejshme do të përcaktojnë motivet dhe situatën familjare që e shtyu 45- vjeçaren drejt aktit të vetëflijimit.