Thyhet bojkoti, PS nesër në parlament- Edvini në pragdorëzimi, pranon “lakuriqësinë” para deputetëve opozitarë

Kryebojkotuesi Edvin Kristaq Rama tregoi “lakuriqësinë” para deputetëve opozitarë gjatë mbledhjes së grupit kuvendor socialist, duke deklaruar se bojkoti nuk ishte një zgjedhje e mirë, por se ishte i vetmi instrument që mund të keqpërdorej dhe të vihej në shërbim të klikës keqndjellëse për kapjen e pushtetit. Qëndrimi i kryesocialistit në detyrë, vjen në një moment kritik për të ardhmen e tij politike, teksa ka rënë peng i një logjike disfatiste, pasi pranoi gabimin më të madh dhe dëmin më permanent që mund t’i bëhet institucioneve demokratike, nëpërmjet rrugës së bojkotit, ndërsa udhëzoi deputetët që nesër t’i drejtohen sallës së Kuvendit. Në prani të 64 mandateve të selisë rozë, paturpësisht, lakuriqi u përpoq të justifikohej se i kishte mbajtur ata jashtë dyerve të parlamentit, jashtë sistemit të kontributit ligjvënës, jashtë kryerjes së detyrimeve të tyre ndaj elektoratit dhe njëherazi duke i lënë pa rroga për 6 muaj resht, për një arsye të vetme, se dyshonte fort, por pa argumente, se i ishin vjedhur votat më 28 qershor. Mungesa e koherencës së Edvinit me realitetin politik është e thekshme. Ai akuzoi për presione të jashtëzakonshme nga diversione të rrezikshme për të rikthyer PS në Kuvend. Kësisoj, ai indirekt shigjetoi deputetët dhe përfaqësuesit e PS të mendimit ndryshe, të cilët tashmë, kanë arritur një fitore madhore kundër aleancës antidemokratike që synonte destabilizimin politik të Shqipërisë, madje edhe duke paralajmëruar skenare të frikshme si ato të vitit të “lulëzimit” të rebelimit neokomunist, të ‘97-ës. Por, rruga e baltosjes së të ashtuquajturve “diversione” sipas Edvinit shtrihet deri te lideri historik i socialistëve, Fatos Nano, i mbështetur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. “Nesër jemi në palament, jo për të hyrë dhe për të dalë, por për të bërë transparencën. Nuk kërkojmë asgjë më shumë se një parim jo një pazar, një nder jo një favor, duam gjykimin e popullit sovran. Falenderoj ata që mbështetën kauzën tonë. Duam hetim parlamentar. Ndërkombëtarët kanë mbështetur kërkesën tonë për hapje të kutive, ndonëse kanë pranuar debatin politik dhe atë parlamentar. Bojkoti ishte e vetmja zgjidhje për të drejtat tona të dhunuara. Në respekt të miqve tanë ndërkombëtarë jemi të gatshëm për rikthimin e opozitës në parlament, por që t’i hapim rrugë transparencës. Berisha thotë se në Rushdije ka humbur një mandatet, le ta vendosë të lexojë votat që ndodhen brenda në kuti në të gjithë vendin dhe t’i shohë mandatet e tij. Ne kërkojmë që të vendoset drejtësia. Ne nuk duam të dhunojmë, gjykatat, rendin kushtetues, duam vetëm transparencë. Gjatë këtyre muajve, janë përpjekur të përbaltin imazhin e PS, si forcë që synon të sfidojë ligjet dhe kushtetutën e vendit. Presione të jashtëzakonshme kanë ardhur nga diversione të rrezikshme për të rikthyer PS në Kuvend. Ne kërkojmë hetim parlamentar dhe një transparencë pa kushte”, u shpreh kryesocialisti në detyrë, Edvin Rama. Tashmë, nuk dihet fati i tij politik. Një gjë është e sigurtë, se në PS të gjithë kërkojnë kokën e tij. Tullumbacja e shfryrë, po përballet me një presion të egër brenda grupit parlamentar, të cilët i kërkojnë shpjegime se pse i mbajti 6 muaj jashtë detyrimit kombëtar, detyrimit ndaj atdheut, duke e lënë vendin në caqet e rrezikshme të integrimit evropian.
Ngushtohet laku, Edi Rama u detyrua sot në mesditë të thërrasë parlamentarët për bojkotin/Arta Dade, fabrika e parë e Edvinit për të prodhuar alibinë për fundin e bojkotit Edi Rama, i gjendur shumë ngushtë, thërriti për pasdite mbledhjen e grupit parlamentar, në përpjekje për t’i dhënë një alibi të besueshme kthimit në parlament me bisht ndër shalë. Pasi edhe socialistët evropianë iu bashkuan rezolutës me tre pika të Këshillit të Evropës, për Edi Ramën kanë mbetur vetëm dy alternativa: izolimi i plotë ndërkombëtar dhe shkërmoqja e një partie që po del jashtë sistemit apo kthimi pa koncesione në parlament, duke u përballur gjithsesi me kritikët që shprehen se 6 muajt e fundit të opozitës u çuan kot.
Arta Dade, fabrika e parë e Edvinit për të prodhuar alibinë e fundit të bojkotit/Pak përpara mbajtjes së mbledhjes së grupit parlamentar, njëra nga mentoret e Edi Ramës, Arta Dade, ithtarja e vjetër dhe e re e bojkotit, ka paralajmëruar për BBC-në se bojkoti edhe mund të mbyllet, meqenëse ai ia paskërkësh arritur qëllimit. "Grupi i Partisë Socialiste ka qenë vazhdimisht i gatshëm që mbas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve për të hyrë në parlamentin e Shqipërisë. Sigurisht duke kërkuar tranparencën e plotë të procesit zgjedhor përfshirë edhe hapjen e kutive. është për këtë arsye që ne kemi qëndruar jashtë parlamentit sepse kjo kërkesë nuk është përmbushur. Fakti që kjo kërkesë e opozitës ka marrë tashmë vëmendjen jashtëzakonisht të madhe do të thoja dhe këtë e tregon jo vetëm prezenca e Këshillit të Europës, por edhe e një numri personalitetesh të tjerë në Tiranë, tregon që bojkoti i opozitës ka dhënë frutet e veta në sensibilizimin e gjithë opinionit ndërkombëtar por edhe vendas...”, tha zonja Dade, duke u munduar të mbajë sa të mundet në këmbë një alibi për kthimin jo fort me turp të socialistëve në parlament.
...