E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi nuk ka më frikë, fitore 2-1 kundër çelsit

Interi ka lënë pas frikën që e shoqëronte në Champions League, duke mposhtur 2-1 çelsin në ndeshjen e parë të të tetave të finales së këtij turneu. Në "San Siro" është zhvilluar një sfidë spektakolare, që në fund ka nxjerrë fituese skuadrën e drejtuar nga Zhoze Murinjo. Karlo Ançeloti nuk ia ka dalë sërish mbanë të mundë "armikun" e tij që drejton zikaltërit, megjithatë goli i shënuar në fushë kundërshtare nga Salomon Kalu e lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit në "Stemford Brixh" pas dy javësh. Ndeshja e djeshme ka qenë tepër emocionuese, me zikaltërit që kanë ditur të fitojnë edhe pse në këtë kompeticion gjithnjë kanë treguar dobësi. Në krahun tjetër, çelsi tregoi se mbetet një ekip i frikshëm, pasi çdo aksion i londinezëve ka shkaktuar panik në zonën italiane. Përpos kësaj, për Interin ka qenë një fitore e merituar, e ardhur pas 90 minutave të nivelit tepër të lartë dhe ku skuadra zikaltër ka treguar veç të tjerash pjekuri dhe stabilitet.
Pjesa e parë
Interi e ka nisur takimin ndryshe nga herët e tjera, pa frikë dhe me dy sulmues plus Shnajderin pas tyre. Pas vetëm 3 minutash, një aksion i bukur i zikaltërve, me Eto që pason për Militon, finalizohet në gol nga ky i fundit. Xhon Terri tregohet i mefshtë ndaj sulmuesit argjentinas, i cili nuk fal dhe mposht Petr çeh. Më pas, çelsi merr frenat e lojës në dorë dhe pas vetëm pak minutash është Didier Drogba që godet shtyllën me një goditje dënimi. Më tej, një gjuajtje e Salomon Kalu dhe një gjysmë rrofeshatë e Drogba, gjejnë të përgatitur Zhulio Sezar. Pak minuta para mbylljes së fraksionit të parë është Samuel Eto ai që ka një shans të mirë për të dyfishuar, pas një pasimi të Shnajder në zonë, por kamerunasi nuk koordinohet dot, duke bërë që mbrojtja e çelsit të largojë rrezikun. Pjesa e parë mbyllet me një ndërhyrje të dyshimtë ndaj Kalu, që pretendon për penallti, por arbitri spanjoll Mejuto Gonzales bën shenjë që loja të vazhdojë. Në fakt, rrëzimi i sulmuesit nga Bregu i Fildishtë duket i ekzagjeruar.
Pjesa e dytë
çelsit i kanë mjaftuar vetëm 6 minuta në pjesën e dytë për të barazuar rezultatin. Pas një aksioni pa pretendime, Salomon Kalu godet saktë nga 25 metra, duke mposhtur Zhulio Sezar. Një top jo shumë i fortë për portierin brazilian, por që ai nuk ka mundur ta neutralizojë. Gjithsesi, vetëm 4 minuta më pas Interi ka kaluar sërish në avantazh, këtë herë me Esteban Kambiaso. Argjentinasi ka goditur dy herë nga hyrja e zonës dhe në tentativën e dytë, topi ka përfunduar në rrjetë. çelsi më pas është bërë padron i fushës, por pa mundur të gjejë golin e barazimit. Një goditje e Mikael Balak në zonë gjeti të gatshëm portierin Zhulio Sezar, që i shpëtoi fitoren e Interit. Takimi është mbyllur 2-1, me zikaltërit që tregojnë se janë rritur në mentalitet edhe në Evropë, ndonëse duhet thënë se goli në fushë kundërshtare i jep disi avantazh çelsit për në "Stemford Brixh".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›