E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtohet unaza e qytetit



BURREL - Unaza e qytetit të Burrelit është bërë e pakalueshme për mjetet e transportit. Shkak për rrëshqitjen e të paktën 30 metrave traseje të rrugës janë bërë reshjet e shumta të shiut. Poshtë lokalit “Tarzani” rruga është dëmtuar keq, duke penguar lëvizjen e mjeteve të ngarkuara me krom, të cilat aktualisht lëvizin në rrugët e qytetit të Burrelit, rrugë këto të rikonstruktuara vitet e fundit. Prej vitesh Bashkia e Burrelit ka kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të mundësojë rikonstruksionin e plotë të kësaj unaze, mirëpo përgjigjja e specialistëve të kësaj drejtorie ka qenë se është më mirë të ndërtohet një unazë tjetër për qytetin e Burrelit, në jug të tij. Unaza ekzistuese mund të pësojë sërish shembje për shkak të formacioneve të buta të tokës dhe derdhjeve të ujërave të qytetit në këtë zonë. Bllokimi përfundimtar i unazës ka krijuar shqetësim jo vetëm për Bashkinë e Burrelit, por edhe policia rrugore dhe qytetarët janë të shqetësuar se mjetet e tonazhit të lartë krijojnë zhurma të mëdha, ndotin mjedisin dhe pengojnë lëvizjen normale të mjeteve të vogla të transportit. Probleme janë krijuar edhe për banesat dhe lokalet që ndodhen pranë kësaj unaze. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›