E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat kryqëzojnë Realin, Runi bëhet hero në Britani



Leonard Karaj

Mediat angleze dhe spanjolle i kanë bërë jehonë të madhe kualifikimit të Mançester Junajtid ndaj Milanit si dhe eliminimit të Realit të Madridit nga Lioni.Të gjendura në kahe të kundërta, në Britani mediat nuk janë kursyer në lëvdata pafund për Junajtid dhe më së shumti për Uejn Runin. "Golden Boy" i vërtetë i "Old Trafford", ashtu si në ndeshjen e parë shënoi një dopietë, duke arritur në kuotën 30 gola, 12 më pak se sezoni më i mirë i portugezit Kristiano Ronaldo. "Daily Sport" luan me titullin "Golden Boy 2-Goldenballs 0", duke theksuar se tashmë kohët kanë ndryshuar. "Roo shkelmon Becks", shkruan në faqen e parë "Daily Star", ndërsa "Daily Mirror" luan me mbiemrin e sulmuesit anglez "One-Man Roonited". Ndërkohë, mediat britanike i kanë kushtuar një hapësirë jo të vogël edhe protestës së tifozëve të Mançester kundër familjes Glazer. Ata kanë mbajtur shalle me ngjyrë të verdhë dhe jeshile, simbol i protestës kundër pronarëve amerikanë, të cilët janë zhytur në krizë dhe sipas tifozëve, po e përdorin Mançester për të larë borxhet personale.
Në kahun tjetër mediat spanjolle kanë sulmuar ashpër lojtarët milionerë dhe trajnerin Pelegrini pas eliminimit të turpshëm të Realit nga Liga e Kampioneve. "Lamtumirë Champions, lamtumirë Pelegrini" ishte titulli kryesor i "Marca", gazeta sportive më e rëndësishme e Spanjës, duke paralajmëruar shkarkimin e trajnerit kilian. Sipas kësaj gazete, gabimi më i madh i Pelegrinit ishte ndërrimi parakohe i Kakasë. "Katastrofë" ishte fjala që kishte zgjedhur "AS", gazeta tjetër e rëndësishme e vendit, e cila në shkrimin e saj e cilësonte një dështim të madh lojën e futbollistëve ma-drilenë. Në bankën e të akuzuarve kjo gazetë ngjiste edhe Pelegrinin si shkaktarin kryesor të këtij eliminimi. Gazeta "El Mundo" ka ironizuar me titullin e saj, "250 milionë euro…një ligë?" duke treguar se paratë e shpenzuara nga Perez kanë shkuar dëm, pasi Reali i milionave nuk mund të mjaftohet vetëm me Ligën Spanjolle.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›