Skandali Mustafaji, Vllaznia do 3 pikët me Shkumbinin
Vllaznia kërkon tri pikët në tavolinë për ndeshjen me Shkumbinin zhvilluar ditën e mërkurë në fushën e këtyre të fundit. Shkak është bërë aktivizimi i futbollistit Erjon Mustafaji, i cili rezulton të jetë i pezulluar me pesë ndeshje nga Komisioni i Disiplinës dhe i konfirmuar, po ky dënim edhe nga Komisioni i Apelit. Lojtari ka luajtur si titullar deri në minutën e 76-të kur u zëvendësua nga Emiljan Lluca. Pasi kanë verifikuar aktivizimin e Mustafajit, klubi kuqeblu ka konfirmuar dje që do të bëjë ankesë në FSHF nga ku do kërkojë edhe fitoren në tavolinë për ndeshjen e javës së 23-të, e përfunduar në barazim pa gola. I kontaktuar nga gazeta "Panorama", presidenti i Vllaznisë Valter Fushaj ka pohuar se do kërkojë zbatimin e rregullores. "Ne do të kërkojmë pikët në tavolinë. Shkumbini ka aktivizuar një lojtar të pezulluar çka nënkupton se ka thyer rregulloren. Në të tilla raste, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë fitorja i jepet skuadrës kundërshtare, në rastin tonë, neve ndaj mendoj se në këtë rast nuk po vjedhim asgjë, por vetëm po kërkojmë të drejtën tonë legjitime", ka pohuar Fushaj. Ndërkohë i pyetur përsa ka konfirmuar federata se futbollisti i Shkumbinit ka qenë i falur me një vendim qarkullues të Komitetit Ekzekutiv, presidenti i Vllaznisë pohon se ai nuk ka dijeni për një gjë të tillë. "Ne si klub nuk kemi parë asnjë vendim ku thuhet se lojtari është falur nga federata dhe për më tepër kur dënimi i tij është konfirmuar edhe nga Apeli. Ju po thoni se federata pohon se ka nxjerrë një vendim qarkullues të Komitetit Ekzekutiv, por edhe në qoftë kështu, ne dimë që KE-ja nuk është mbledhur më pas datës 1 mars, pra pas vendimit të Apelit", ka pohuar Valter Fushaj.