Jo vetëm 8 mars
Elsa Ballauri
Përpara disa vitesh, një shkrimi im kishte titullin “Pse jo 12 Mars” dhe ideja ishte se sa mundues është mendimi se më 8 Mars dhe vetëm më 8 Mars do të ketë një shpërthim mallëngjyes për dashurinë, mirësinë, bukurinë dhe vlerat e grave…
Mund të jetë një kundërshti e natyrshme që vjen nga përkushtimi i vazhdueshëm i kësaj ceremonie, por me pak shpjegim, do mundohem të tregoj se nuk është vetëm kaq… Nuk duhet të jetë vetëm ndjesia ime, kjo. Mendoj se është ndjesia e shumë grave të tjera, që shpesh herë bëjnë punën e Sizifit dhe janë të pakënaqura që shqetësimi i tyre vlerësohet me një ditë të vetme brohoritjesh. Mund të jetë edhe shqetësimi i shumë grave të tjera në botë, madje duke përfshirë edhe ato vende ku lufta për barazi është pak më shumë se mesatarja. Megjithëse edhe në këto të fundit, ka shumë probleme që lidhen me barazinë gjinore, me psikologjitë maskiliste, me dhunën dhe parregullsitë, ndryshimi nga ne, është se atje flitet shumë e bëhet shumë për këto probleme...Për të mos mbetur në llogoret pesimiste, nuk dua të mohoj atë që Shqipërisë i ka ndodhur në këto vite të ndryshimeve të pas ’90. Për të qenë realiste, dua të kujtoj edhe ato që Shqipërisë i ndodhën përpara ‘90. Gjithmonë një ndryshim sistemi sjell me vete ndryshim të madh social dhe psikologjik. Gjatë viteve të diktaturës, gruaja shqiptare doli jashtë burgut të vogël, siç ishte shtëpia, por eksperimentoi gjatë, shumë gjatë burgun e madh, që ishte Shqipëria. Pas viteve ’90, gruaja filloi të eksperimentonte botën, lirinë e madhe që i kishte munguar, ashtu si edhe të tjerët. Kanë kaluar pothuajse 20 vjet që atëherë, dy dekada nuk janë pak për të eksperimentuar lirinë dhe lëvizjen. Tani është koha që ajo të eksperimentojë një tjetër gjë: vetveten. Kjo është edhe faza më e vështirë, ajo fazë e cila e ve atë përpara një prove të madhe. Deri tani gruaja është vënë në provë nga burri dhe jo nga vetvetja. I kishte munguar koha për ta bërë këtë, i kishte munguar shansi për ta bërë këtë: gjatë historisë së vet të shkurtër, si shtet dhe si shoqëri e lirë, Shqipëria ende nuk e ka pasur mundësinë e latimit të shtresave të popullsisë, e klasave dhe rangjeve; si rrjedhim në këtë mes, gruaja ka qenë në një rang të pakonsiderueshëm.
Formimi i shtetit të parë shqiptar solli në skenë individualitete shumë interesante grash që u përpoqën falë edukimit të tyre, mundësive ekonomike, apo zgjuarsisë dhe guximit, të dilnin mbi nivelin e ujit të ndenjur patriarchal. Por këto ishin elemente të rralla. Një ndihmë të madhe do t’i jepte edhe zhvillimit të lëvizjes femërore, vetë zhvillimi i kapitalizmit, gjë që për fat të keq nuk ndodhi në Shqipëri. Pas Luftës së Dytë Botërore, ndodhi fenomeni tjetër që përmenda më lart: gruaja doli nga burgu i vogël i shtëpisë me detyrim, pa arritur të asimilonte dialogun e vetes brenda familjes në disa kushte të reja urbane që solli paslufta. Vetë sistemi ishte shumë shtërgues, detyronte, në vend që të respektonte, urdhëronte, në vend që të komunikonte. Pavarësisht se Shqipërisë fshatare i bëri mirë dalja me forcë e grave nga shtëpia, një periudhë e tërë nuk arriti të ezaurohej natyrshëm, dhe gruaja e dogji këtë etapë të kalimit nga shtëpia në punë, fazë e cila i la gjurmë në personalitetin e saj.
Të mos harrojmë elementin e izolimit dhe mungesës së lirisë, atë të zhveshjes nga natyra dhe individualiteti i saj, që ishin elementë tipikë të diktaturës. Pra, nga njëra anë, në periudhën e totalitarizmit, kemi një “liri” të udhëhequr sipas parimit të burrit despot në pushtet e nga ana tjetër, kemi një robëri, që e vuajtën të gjithë shqiptarët. Një gjurmë e fortë mbeti në personalitetin e femrës pas kësaj kohe: ajo jo vetëm s’pati kohë të merret me veten, por edhe nuk mësoi se si duhet të merresh me veten.
Periudha e pas ‘90 ka krijuar një shtresë të tërë grash shtëpiake: në dukje duket sikur ky grup është një shenjë depresive dhe pasiviteti e gruas. Mendoj se është ndryshe: kjo është një fazë që duhet kaluar, gjithmonë do të ketë një shtresë të tillë grash, sikurse ka në gjithë botën, ajo do të jetë e lëvizshme: shumë do dalin nga ky pozicion, të tjera do hyjnë, shumë do të kenë dilema, të tjera do të vuajnë, por e gjithë kjo është një natyrshmëri e procesit të rritjes.
Nga ana tjetër, gratë aktive, ato që nuk rrinë dot pa punë, ato që mendojnë se është gabim të rrish pa punë, kanë krijuar një tjetër individualitet, që assesi nuk duhet të jetë kritik ndaj grupit të parë, por duhet të jetë analizues, të kuptojë se faza e ndërtimit të feminizmit do të kalojë patjetër në të gjitha llojet e eksperiencave. Gerda Lerner, historiane e shquar, e quajtur edhe “nënë e historisë së feminizmit” në botë, e cila jetoi gjatë si shtëpiake dhe i filloi studimet në moshën 40-vjeçare, sëbashku me fëmijët e saj, e shpjegon shume mirë këtë eksperiencë: Ajo thotë: “Kam qenë mama me kohë të plotë…. Gjithmonë kam ndjerë se feminizmi duhet të kuptojë më shumë mbi këtë eksperiencë. Kushdo që do të bëjë një ndryshim në komunitetin e tij, çdo burrë, duhet ta dijë se ky ndryshim ka ndodhur nga gratë e tyre shtëpiake në të gjithë vendin, në të gjithë botën”.
Duke u ndalur pak më shumë në këtë fokusim që Lerner i ka dhënë rëndësisë të gruas që rri në shtëpi dhe kalon eksperiencën e kësaj bote të vogël dhe të rëndësishme, unë do të riktheja në vëmendjen tuaj atë që më shqetëson më shumë dhe që mendoj se e bën të kuptuarit e lëvizjes dhe të drejtave të grave të kalojë përtej 8 Marsit, të kalojë përtej një dite të vetme...
Biseda me vetveten. Sa gratë janë në gjendje ta bëjnë këtë, të shohin thellë brenda vetes së tyre, të kuptojnë me maturi se janë ato protagonistet e krijimit të qenieve shoqërore dhe nëse nuk i kushtojnë rëndësi kësaj, do të nëpërkëmben. është gruaja që krijon fëmijën dhe bën dallimin e gjinisë: i jep të drejtë djalit më shumë se vajzës, detyron vajzën t’i shërbejë djalit. Këtu fillon mësimi i gabuar, e këtu fillon edhe pësimi.
Nëpërmjet të gjitha fazave të natyrshme të formimit të individualitetit të saj, kudo qoftë, brenda ose jashtë mureve të shtëpisë, ajo duhet ta marrë me seriozitet detyrën e saj dhe të mos e lërë atë në dorën e burrit. Të jetë e bindur se të gjitha fazat e jetës së saj, duke filluar nga nënshtrimi i Ifigjeniës së Euripidit, e duke vazhduar me besnikërinë ngjethëse të Penelopës, e duke shkuar në çmendurinë lodhëse të Joan D’Arkës, janë investimi i madh i krijimit të personalitetit të saj. Pa këtë investim, pa filluar dhe thelluar monologun e saj, është vështirë që ajo të fillojë në lartësinë e duhur dialogun e vërtetë me burrin.