Rruga e prishur lë nxënësit pa mësim
TEPELENE - Prej një jave nxënësit e tre fshatrave në Komunën Luftinjë në rrethin e Tepelenës janë privuar nga procesi mësimor. Shkak është bërë dëmtimi i aksit rural që të çon në fshatrat Luftinjë, Canaj dhe Izvor. Rreth 230 nxënës të sistemit arsimor 9-vjeçar dhe të mesëm janë mjaftuar vetëm me daljen nga shtëpitë e tyre dhe shkuarjen në shkollat ku ata mësojnë dhe më pas rikthehen me libra në shtëpi. Autobusi që sjell arsimtarët në të tri fshatrat e kësaj komune, e ka pasur të pamundur kalimin e një pjese të rrugës që të çon në këto fshatra pas dëmtimit, si pasojë e rrëshqitjes në masë të konsiderueshme ditët e fundit. Shkak janë bërë shirat e rrëmbyeshëm që kanë prishur dukshëm tabanin e një pjese të rrugës, çka është e pakalueshme për mjetet e transportit. Në këto kushte, ka munguar ndërhyrja e specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, të cilët janë angazhuar në rikuperimin e aksit nacional Gjirokastër-Tepelenë si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Problemet për këtë aks nisën që prej muajit dhjetor dhe banorët kërkojnë marrjen e masave konkrete. p.n