E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, Drini gërryen tokat e Ashtës



SHKODER/ RITVAN DIBRA

Drini u afrohet shtëpive të Ashtës në Komunën e Bushatit. Familjet që jetojnë buzë këtij lumi janë në rrezik nga momenti në moment, pasi uji mund t'u përmbysë banesat. Rrjedha e fortë e lumit, e cila është shtuar nga shkarkimet e hidrocentraleve ka gërryer tokën dhe po u afrohet çdo ditë e më shumë banesave. Në këtë fshat janë 10 shtëpi me 50 banorë në rrezik, të cilët janë shpërngulur duke ngritur banesa të reja vitet e fundit. Paraditen e së martës sipërfaqja e ujit të këtij lumi arriti deri 5 metër larg shtëpive të para. Krahas frikës së përmbytjes këta banorë po i druhen edhe gërryerjes së themeleve, duke e bërë të pashmangshme katastrofën. Kryefamiljarët e kësaj zone thonë se dy ditët e fundit kanë larguar nga shtëpitë gratë e fëmijët, duke i dërguar tek të afërm të tyre. Ata shprehen se ndihen të pasigurtë, pasi çdo moment e më tepër, nëse lumi fryhet me këtë ritëm, përmbytja është e pashmangshme. Gjatë ditës së djeshme, reshjet nuk janë ndërprerë, duke bërë që paralelisht me shkarkimet e hidrocentraleve, gjendja të rëndohet çdo ditë e më tepër. Shtabi i emergjencave ka marrë masat për të shmangur përparimin e ujit në zonën e banuar. Që nga dita e diel, forcat xheniere të ushtrisë, me anë të disa makinerive të rënda kanë vazhduar punën pa ndërprerje për të hedhur inerte në brigjet e lumit Drin. Madje gjatë paradites së djeshme, forcat e ushtrisë kanë punuar për të çmontuar disa bunkerë të artilerisë së rëndë që ndodhen në këtë zonë, me qëllim që mbeturinat e tyre t'i përdorin për të mbrojtur tokën nga gërryerjet e ujit. Hedhja e inerteve është bërë pas konsultimit edhe me specialistë të bordit të kullimit, të cilët inertet dhe betonët e bunkerëve po i përdorin dhe për devijuar sa më shumë rrjedhën e lumit në drejtim të kundërt me tokën e gërryer. Banesat e fshatit Ashtëm janë ndërtuar vitet e fundit përgjatë rrjedhës së Drinit, në komunën Bushat. Megjithatë, asnjëherë më parë, veç këtij viti nuk e kishin parë lumin t'u afrohej kaq shumë. Forca gërryese e lumit, e cila është bërë disa herë më e madhe muajt e fundit, ka çarë tokën deri pranë shtëpive. Ditën e djeshme, gjendja ishte e njëjtë në Obot dhe në komunat e tjera me probleme. Rruga kryesore e fshatit Obot është e mbuluar nga uji, duke sjellë probleme në qarkullimin rrugor. Jo më larg se një muaj më parë mbi 5 mijë familje në Shkodër përjetuan gjendjen e jashtëzakonshme të motit, duke u shpërngulur drejt zonave të tjera. Rikthimi i frikës së përmbytjeve po ndodh kur ende banorët nuk e kishin marrë veten nga pasojat që uji la gjatë fillimit të vitit.

Patos, dëmtohen 30 banesa

Shkarjet e masivit të dheut për shkak të reshjeve të rëna me intensitet ditët e fundit kanë shkaktuar panik te banorët e fshatit Kuqar, në rrethinat e qytetit naftëtar të Patosit. Disa shtëpi të rrezikuara këto ditë janë shembur përtokë, ndërsa banorët pohojnë se ndihen të rrezikuar në jetën e tyre të përditshme. Ata thonë se alarmin për këtë katastrofë e kanë dhënë prej kohësh, por nuk është marrë asnjë masë. Sipas tyre, e vetmja lëvizje që është bërë nga ana e përfaqësuesve të të pushtetit lokal është inspektimi i zonës dhe plotësimi i dokumenteve. Tashmë ata kërkojnë ndihmë nga shteti, pasi shtëpitë janë rrëzuar përtokë për shkak të rrëshqitjeve. Një prej banorëve të këtij fshati, Nezir Bregasi thotë se në rrënojat e shtëpisë së tij kanë ardhur nga pushteti lokal dhe specialistë të cilët e kanë paralajmëruar që të mos jetojë më në ato shtëpi, ku muret janë krejtësisht të çarë. "Tërë natën kam qëndruar jashtë nga frika e rënies së çatisë. Jam pensionist dhe i lutem qeverisë për ndihmë, pasi unë vet nuk ndërtoj dot shtëpi të re", apelon ai. Sipas banorëve, rreth 30 shtëpi mund të kenë pësuar dëme të pariparueshme deri tani. Zona e Kuqarit ndodhet rreth 2 km larg nga Fieri, me rreth 5 mijë banorë. Më parë, banorët janë ankuar për tronditje të tokës, por sipas tyre ato shkaktoheshin nga shpërthimet në puset e naftës. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›