Thaçi: Prishtina, jo bisedime me kusht me Beogradin
Prishtina nuk do të bisedojë në asnjë rrethanë, në asnjë kohë dhe me asnjë kusht me Beogradin për gjashtë pikat e propozuara nga Ban Ki-Moon, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”.
Madje, sipas tij, për këto çështje askush tjetër nuk mund të bisedojë dhe nuk do të bisedojë. Ndërkaq, duke i komentuar takimet e shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier me përfaqësuesit e Qeverisë serbe për Policinë, Drejtësinë dhe Doganat e Kosovës dhe ofertat që i ka bërë ai pas këtyre takimeve – kryeministri Thaçi ka shprehur vendosmërinë e tij duke këmbëngulur se do të respektohet vetëm Kushtetuta e Kosovës dhe jo “deklaratat ad hoc të kujdo qofshin”.
Sa i përket njohjes së Kosovës, kryeministri nuk ka pranuar se ka ngecje në lobim – duke vlerësuar se njohjet “nuk duhet kuptuar dhe shikuar në kuptimin numerik”. I pyetur për premtimin e tij për njohjen e Kosovës nga 100 shtete të botës, pas shpalljes së pavarësisë, Thaçi ka bërë një krahasim të njohjes së Kosovës me njohjet e vendeve të tjera të ish-Jugosllavisë-duke e cilësuar si “një mrekulli”.
Sidoqoftë, duke shpjeguar se Kosovën e kanë njohur vendet më të fuqishme botërore, ai ka thënë se kontakti me këto vende është i vazhdueshëm, ndërsa ka premtuar se do të ketë ecje vetëm përpara dhe se Kosova do të njihet jo vetëm nga 100 shtete, por nga e gjithë bota demokratike dhe do të jetë pjesë e organizatave kryesore botërore si OKB, BE, NATO, BB dhe FMN. /Telegrafi/