“Dënim me 4 vjet Shkëlzen Madanit”
Armand Bajrami
Prokuroria e Tiranës kërkoi dje burg dhe gjobë në lekë për 4 të pandehur, mes të cilëve edhe Shkëlzen Madani, ish- zyrtar i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes.
Të dërguar në gjykatë për një sërë shkeljesh ligjore, në lidhje me furnizimin me lëndë plasëse të firmave ndërtuese të rrugës Durrës-Kukës-Morinë, organi i akuzës kërkoi për ta një total prej 13 vjet e 6 muaj burg, si edhe 4.5 milionë lekë gjobë. Gjatë paraqitjes së konkluzioneve të mbrojtjes, 4 të pandehurit pretenduan pafajësi, ndërsa i pandehuri Madani ka pranuar vetëm një nga akuzat, atë të falsifikimit të dokumenteve shkollore. Akuzat që rëndonim mbi të pandehurit, Shkëlzen Madani, Ferdinand Hodo, Aurela Çoto dhe shtetasi turk, Nihat Sobaçi, ishin ato të “korrupsionit pasiv të personit që ushtron funksione publike”, “falsifikimit të dokumenteve shkollore”, “ushtrimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “moskallëzim krimi”.
PRETENCA
Në seancën e djeshme, në Gjykatën e Tiranës në ngarkim të Madanit, Hodos, Çotos dhe Sobaçit, gjykata u njoh me konkluzionet përfundimtare të organit të akuzës. Sipas prokurorisë, gjatë shqyrtimit të akteve, pjesë e dosjes ishte provuar fajësia e të pandehurve për akuzat e ngritura ndaj tyre. Përfaqësuesi i akuzës kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurve dhe dënimin e tyre me 4 vjet burg dhe 3 milionë lekë gjobë për Shkëlzen Madanin, 2 vjet burg e 1 milion lekë gjobë për Ferdinand Hodon, 1 vit e 6 muaj burg për Aurela Çoton, si edhe 6 muaj burg dhe 500 mijë lekë gjobë për Nihat Sobaçin. Gjykata u njoh dje edhe me konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes, të cilët kërkuan pafajësi për klientët e tyre. Në përfundim gjykata shtyu seancën për më 24 korrik, kur pritet të shpallet edhe vendimi përfundimtar.
Dosja në ngarkim të Shkëlzen Madanit, ish-kryetarit të Komisionit të Dhënies së Lejeve të Lëndëve Plasëse për Përdorim Civil dhe të pandehurve të tjerë, përfaqësues ligjorë të shoqërive private shkoi për gjykim në Gjykatën e Tiranës në muajin prill të këtij viti. Sipas organit të akuzës, të pandehurit ishin përfshirë në parregullsi ligjore në prodhimin, administrimin dhe kontrollin e lëndëve plasëse, që do të përdoreshin për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Po sipas prokurorisë, ata janë përfshirë në afera korruptive me kreun e Komisionit në Ministrinë e Mbrojtjes, që mundësonte lejet e përdorimit të lëndëve plasëse për përdorim civil, për të siguruar marrje leje për prodhim lëndësh shpërthyese, si edhe zgjatje kontratash me uzina ushtarake ku siguronin lëndën plasëse.
Pretenca e kërkuar
Shkëlzen Madani 4 vjet burg, 3 milionë lekë gjobë
Ferdinand Hodo 2 vjet burg, 1 milionë lekë gjobë
Aurela Çota 1 vit e 6 muaj burg
Nihat Sobaçi 6 muaj burg, 500 mijë lekë gjobë