Forcohet monedha vendase
Kthimi i emigrantëve në atdhe ka përmirësuar ekonominë e vendit. Gjatë javëve të fundit monedha vendase është forcuar kundrejt valutave. Në agjencitë e këmbimit valutor një dollar u ble me 91.40 lekë dhe u shit me 92 lekë, ndërsa një euro u ble me 129.00 lekë dhe u shit me 129.60 lekë. Sipas ekspertëve të ekonomisë, muajt e ardhshëm euro do të zhvlerësohet sërish. Për ekspertët kjo ecuri do të kushtëzohet edhe nga fakti se Shqipëria është e rrethuar nga vende që kanë euron si monedhë kombëtare me të cilat kryhet një pjesë e konsiderueshme e tregtisë. Nga forcimi i lekut favorizohen të gjithë ata qytetarë që kanë marrë kredi në valutë. Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë rezulton se rreth 75 për qind e kredive që kanë dhënë bankat janë në monedhë të huaj.