Pusi i naftës, “tërmet” në Fier
FIER/ MAJLINDA RAMA
Shpërthimi i një pusi nafte mes dy fshatrave të Fierit tronditën 8 mijë banorët e tyre, ndërsa lëkundjet e fuqishme u ndjenë deri në qytet. Tre shtëpi në fshatrat Kuqar dhe Zharrëz janë bërë të pabanueshme dhe dhjetëra të tjera kanë pësuar dëmtime. Banorët ankoheshin prej rreth një muaji që në puset që ndodhen pranë këtyre dy fshatrave po ndodhnin shpërthime, por i djeshmi ishte më i rëndë. Mbi 500 familje të dëmtuara u mblodhën dje në një protestë masive, në rrugën nacionale, ndërsa asnjë nga përfaqësuesit e Albpetrolit apo të firmës kanadeze “Bankers Petrolium” nuk dha asnjë shpjegim. Specialistë thonë se në puse ndërhyhet qëllimisht, për të provokuar nxjerrjen e sasive të mëdha të naftës, pa marrë parasysh rrezikun për banorët përreth. Këto veprime dyshohet se kanë krijuar dhe shpërthimet e gazit apo të naftës nën tokë, duke shkaktuar lëkundjet e mëdha, si ajo e mesditës së djeshme. Fillimisht është menduar se zona ishte qendër e një tërmeti, por më vonë rezultoi e kundërta. Vetë banorët, tepër të trembur, janë shprehur se prej më shumë se 1 muaji vazhdonin të ndjenin lëkundjet e tokës. “Lëvizjet nuk janë të vazhdueshme, por toka dridhet disa herë në ditë. Shpeshherë kemi dalë në rrugë, nga frika se mos shemben shtëpitë e na zënë brenda bashkë me fëmijët. Nga gjithë këto tronditje, shtëpitë kanë marrë plasaritje në pjesën e çatisë dhe të mureve dhe nga momenti në moment mund të rrëzohen. Edhe pse për një muaj kemi ndjerë gjithë këto lëvizje, nuk na shkonte kurrsesi ndërmend që do të ndodhte kjo që ndodhi sot”. Ata tregojnë se një lëkundje shumë e fortë rrëzoi përtokë gjithë plaçkat e orenditë dhe dolëm jashtë. “Shikoj në rrugë që kishin dalë edhe të tjerë fqinjë që flisnin se ky ishte një shpërthim i shkaktuar nga puset e naftës, ndoshta nga pusi 646 ku po punohej prej ditësh”. Kështu është shprehur Neim Laze, një banor i zonës, shtëpia e të cilit ka pësuar dëmtime të dukshme e tepër të thella. Por situata paraqitet tepër kaotike edhe në fshatin Zharrës, ku ka pasur gjithashtu dëmtime. Banorë të kësaj zone, kanë treguar për gazetën se për disa minuta toka është lëkundur, duke dëmtuar një pjesë të banesave e duke shkatërruar mure e gardhe. “Ne nuk e dinim që këto lëkundje vinin nga shpërthimet që bëhen për nxjerrjen e naftës dhe ndaj nuk kemi reaguar deri tani. Situata është bërë tepër e vështirë, dhe po na detyrojmë të largohemi nga shtëpitë. Jemi në mëshirë të fatit dhe askush nuk na ndihmon”. Hekuran Bane, një banor i Zharrzës, teksa ka shprehur indinjatën për këto veprime të papërgjegjshme shprehet se i gjithë komuniteti nuk do të lejojë më kryerjen e të tilla punimeve në këto zonë. Pikërisht për këtë arsye, banorë të shumtë të zonës së Zharrëzës, të mbështetur edhe nga ata të Kuqarit, janë ngritur në një protestë masive, ku kanë bllokuar qarkullimin në aksin rrugor Fier- Berat, dhe janë shprehur se nuk do të largohen prej aty pa marrë një përgjigje zyrtare nga përfaqësues të kompanisë që administron këto puse. Gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur asnjë shpjegim se cilës kompani, asaj shtetërore, “Albpetrol” apo private, “Bankers Petrolium”, i përkasin këto puse dhe shkaku pse ndodhën shpërthimet. Një vit më parë në Zharrëz shpërtheu fontana e një pusi, duke ndotur të gjithë zonën.
Kryebashkiaku: Do denoncojmë përgjegjësit
Të vetmit që kanë reaguar pas kësaj gjendjeje ishin autoritetet vendore. Kryebashkiaku i Patosit, Bardhi Meli dhe kryekomunari i Zharrëzës, Taulant Grëmi, kanë parë nga afër dëmet e shkaktuara. “Duhet të gjendet e vërteta dhe të mbahet përgjegjësi nga autorët e kësaj katastrofe. Kemi bërë gati dokumentacionin e nevojshëm për ta denoncuar në prokurori këtë ngjarje. Të dhënat e deritanishme na dëshmojnë se janë kompanitë e huaja ato që me veprimtarinë e tyre kryejnë punime për shfrytëzimin e naftës. Nuk mund të flasim për tërmet, pasi nuk ka pasur asnjë deklarim zyrtar që këto zona të jenë prekur nga tërmetet. Ndaj themi me bindje se kompanitë naftënxjerrëse duhet të marrin masa për pezullimin e punës. Ne kemi bërë gati të gjithë dokumentacionin e nevojshëm me të gjithë emrat e banorëve, banesat e të cilëve janë prekur nga lëkundjet e tokë e si pasojë kanë pësuar dëme materiale”, pohoi Meli.
“Shpërthimi kur injektohet ujë në pus”
Specialisti i naftës, Tajar Malaj, shpjegon arsyet pse mund të ndodhë një shpërthim i tillë i brendshëm në puset e naftës dhe pasojat e tij.
Përse mund të ndodhin këto shpërthime?
Shpërthimet në këta puse nafte mund të ndodhin pasi në thellësi të tyre mund të futet ujë. Në kohën kur pusi bllokohet, në thellësi të tokës ndodhin plasje, pasi e gjithë sasia e gazit të ndodhur brenda tij nuk ka nga të dalë. Për këtë arsye, toka merr një goditje nga lart-poshtë, duke krijuar lëkundje.
Përse bëhen këto injektime të ujit në thellësitë e pusit?
Për mendimin tim, një gjë e tillë bëhet për të shfrytëzuar pusin deri në maksimum, për të nxjerrë sasi më të mëdha nafte. Gjithçka vjen pasi duan ta shfrytëzojnë pusin në mënyrë barbare, duke nxjerrë prej tij 15-20 ton për 8 orë, ndërsa më parë merrej për 1 metër/kub 200-800 litra naftë dhe nuk kishte standarde apo një normativë të tillë shfrytëzuese.
Çfarë mund të sjellë tjetër kjo lloj metode?
Përveç lëkundjeve të tokës, futja e ujit në brendësi të pusit mund të sjellë edhe tharje të saj në brendësi, duke krijuar vakuume. Këto të fundit shkaktojnë edhe shembje të tokës dhe krijimin e gropave të mëdha.
Pra ju thoni se këto janë tendenca të krijuara nga njerëzit?
Po. Të gjitha këto lëvizje janë përgjegjësi e firmës. Kemi biseduar edhe me inxhinierë nafte dhe vetëm këtë shpjegim na kanë dhënë.
Mund të parandalohen këto plasje?
Mund të parandalohen vetëm atëherë kur puset të shfrytëzohen aq sa duhet, duke mos i sforcuar. Nëse pusi shfrytëzohet në mënyrë njerëzore, jo barbare, nuk do të ketë më as plasje dhe as pasoja të tjera.