Indeksi i çmimit të jetesës 53%
Fabiola Çela
Çmimet e mallrave të konsumit të përditshëm në Shqipëri janë më të lira se në vendet e tjera të Evropës. Sipas të dhënave më të fundit nga Eurostat, Shqipëria renditet ndër vendet që kanë indeksin e çmimit të jetesës më të ulët se vendet e tjera.Raporti
Sipas të dhënave të Shërbimit të Statistikës të Komisionit Evropian “Eurostat”, krahasimi i çmimeve të mallrave për konsumim të gjerë dhe shërbime për vitin 2008, ka treguar se Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia janë vendet më të lira në Evropë. Të dhënat nga Eurosat bëjnë të ditur se mesatarja e indeksit të çmimit të jetesës për Shqipërinë arrin në 53%, në krahasim me mesataren e përgjithshme të Bashkimit Evropian. Sipas të dhënave nga Eurostat, vendi më i shtrenjtë për jetesë është Danimarka e cila ndiqet më pas nga Norvegjia, Zvicra, Finlanda dhe Islanda. Mesatarja e indeksit në Danimarkë arrin në 141%, shumë më tepër në krahasim me mesataren e përgjithshme të BE-së. Vendi më i lirë, pjesë e Unionit Evropian është Bullgaria me 51%, gati gjysmën e mesatares së përgjithshme. Nivelet e çmimeve për ushqim dhe pije jo-alkoolike në Shqipëri për vitin 2008 arrijnë në 74% të mesatares së përgjithshme të BE-së, kundrejt 82% të Serbisë dhe 75% të Malit të Zi. Për pijet alkoolike dhe duhanin niveli i çmimeve varion nga 57% në Shqipëri, 54% në Serbi dhe 45% në Malin e Zi. Në 27 vendet e BE, çmimet janë më ulëta në Rumani 61% të mesatares dhe më e larta në Irlandë 184%. Sipas Eurostat, ky ndryshim i madh i çmimeve vjen si rezultat i dallimeve në taksimin e këtyre produkteve ndërmjet shteteve anëtare. Për veshje, niveli i çmimeve në Shqipëri është më i ulëti ndërmjet vendeve të Ballkanit, konkretisht 90%, krahasuar me 113% në Malin e Zi dhe 104% në Serbi. Për kategorinë e pajisjeve elektronike, Shqipëria e kalon mesataren e përgjithshme duke shkuar në shifrat e 122%, ndërkohë që në vendet e tjera të Ballkanit nuk kalojnë 100%. Për restorantet dhe hotelet, variacionet e çmimeve nuk ndryshonin shumë ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve fqinjë.
Indeksi i çmimit të jetesës
53 për qind është mesatarja e indeksimit të çmimit të jetesës në Shqipëri.
141 për qind është indeksi i çmimit të jetesës në Danimarkë, duke qenë kështu vendi më i shtrenjtë.
51 për qind është indeksi i çmimit të jetesës në Bullgari, vendi më i lirë si pjesë e Unionit Evropian.
122 për qind është mesatarja e çmimeve për pajisjet elektronike në vend, duke kaluar kështu mesataren e përgjithshme.