Kontrabanda, pranga tregtarit të aksesorëve të celularëve
TIRANE – Prangoset tregtari i kontrabandës së aksesorëve të celularëve. Policia e kryeqytetit pohoi dje zyrtarisht se në kuadër të operacionit të koduar “Black market 2”, i realizuar nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës u mundësua sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme aksesorësh të ndryshëm për celularë, u arrestua pronari i tyre dhe po ndiqen në hetim në gjendje të lirë 7 persona, të cilët po tregtonin në afërsi të Postës Shqiptare, në mënyrë të kundërligjshme, pa licencë për ushtrimin e këtij aktiviteti. Kështu, u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë për Shpëtim Pashaj, 35 vjeç, banues në Tiranë, i pa proceduar më parë, i dyshuar për konsumim të veprës penale të “tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”. Ndërkohë policia pohon se të dyshuar për konsumimin e të njëjtës vepre penale po ndiqen në hetim të lirë shtatë tregtarë pakice në këtë zonë, inicialet e të cilëve janë: A.K. 30 – vjeç; H.B. 56 – vjeç; H.S. 19 – vjeç; A.Xh. 18 – vjeç; V.H. 38 – vjeç; D.L. 28 – vjec; dhe E.L. 24 – vjeç. Në momentin e shoqërimit të tyre në polici, efektivët e antikrimit ekonomik, ju sekuestruan këtyre një sërë aksesorë të ndryshëm, të cilat kapin vlerën e 4 milionë lekëve. Kështu, u bllokuan prej policisë: 5 mijë copë kapakë celularësh të markave të ndryshme; një mijë copë këllëfa aparatesh celularë të markave të ndryshme; 3050 copë karikues telefonash celular të ndryshme; 2500 copë bateri telefonash të ndryshme dhe 1500 copë kufje për celular të ndryshëm. Sipas bluve të kryeqytetit, shtatë të shoqëruarit janë marrë në pyetje mesditën e djeshme nga efektivët e seksionit të Krimit Ekonomik, ndërsa më pas janë lënë të lirë, ndërsa sendet e sekuestruara do t’i kalojnë për kompetencë të mëtejshme Degës së Tatim Taksave Tiranë. Policia e kryeqytetit pohoi dje se do të vazhdojë me intensitet punën në drejtim, të parandalimit dhe goditjes në kohë të këtij fenomeni dhe nuk do të lejojë në asnjë moment, tregtimin në mënyrë të kundërligjshme pa licencë për ushtrimin e këtij aktiviteti. Bëhet e ditur se materialet në ngarkim të Pashajt, i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme, ndërsa gjatë ditës së sotme pritet që ai të dërgohet në gjykatë për masë sigurie. fa.ma.