E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot, tre gjyqtarët e Vlorës përballen me KLD-në në Gjykatën e Lartë



Sot, tre ish-gjyqtarët e Vlorës do të përballen me Këshillin e Lartë të Drejtësisë para kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë. Kolegjet e Bashkuara do të zhvillojnë tre procese më vete, duke nisur që nga ora 09:00 e deri në përfundim. Tre gjyqtarët e Vlorës kanë paditur prej disa javësh në Gjykatën e Lartë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ish-kryetarja e Gjykatës së Apelit të Vlorës, Gjinofeva Gaba dhe dy gjyqtarët e shkarkuar pas saj, Vasil Hanxhari dhe Sokol Ngresi, kanë depozituar në Gjykatën e Lartë padinë për shfuqizuar vendimin e KLD-së. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan dje për gazetën “Albania” se padia tashmë i ka kaluar fazat fillestare dhe gjatë ditës së sotme pritet të shqyrtohen. Kolegjet e bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë gjykuar që tre paditë e gjyqtarëve t’i gjykojnë brenda datës 26 mars, duke filluar fillimisht me Gjinofeva Gabën dhe më pas me Vasil Hanxharin e Sokol Ngresin. Për këtë vit këto janë tri paditë e para që Gjykatës së Lartë i duhet të shprehet për një vendim të marrë nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Po kështu, këta tre gjyqtarë janë të parët që janë ndëshkuar nga
KLD-ja gjatë mbledhjeve që janë zhvilluar nga janari e deri në këto ditë. Megjithatë, lista e gjyqtarëve të ndëshkuar për këtë vit pritet të jetë shumë herë më e madhe, pasi si ministri Alibeaj, ashtu edhe KLD-ja, janë shprehur se do të merren masa të ashpra ndaj gjyqtarëve që abuzojnë me titullin që kanë.
L. Rryçi

26 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›