Bregu: Përmbushim reformat gjatë 2012-s dhe më pas trokasim në “derën” e BE

Zhvillohet takimi i parë i grupeve të punës për rishikimin e Planit të Veprimit
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu thërriti dje në një mbledhje grupet e punës së institucioneve, lidhur me rishikimin e Planit të Veprimit për 12 prioritetet e Komisionit Europian. Ministrja Bregu u shpreh optimiste për realizimin në kohë të rekomandimeve të Brukselit, teksa theksoi se ato po shkojnë drejt përmbushjes. “Është bërë zakon të themi 12 prioritetet, por në fakt nuk kanë mbetur 12, ato po plotësohen. I është dhënë më shumë peshë dhe rol Komisionit Parlamentar të Integrimit, duke shpresuar që kontributi i të gjithë anëtarëve të tij, veçanërisht për monitorimin e 5 pikave të para të Planit të Veprimit, do të jetë konsistent. Sigurisht, edhe ne jemi të gatshëm për të ndihmuar në çfarëdolloj problematike, e cila mund të jetë rutinore ose burokratike, në mënyrë që të përmbushim në kohë detyrimet për rishikimin e planit të veprimit”- u shpreh ministrja e Integrimit Evropian, duke sqaruar se pritshmëria kryesore e këtij takimi është ri-institucionalizimi i grupeve të punës (sepse mund të ketë patur ndryshime) dhe përfshirja e komenteve të shoqërisë civile dhe delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë në çdo draft të paraqitur. “Gjatë rishikimit të prioriteteve që janë përgjegjësi direkte e institucioneve, qoftë në materialet - draft, qoftë në hartimin e materialit final që do të dorëzohet pranë ministrisë së integrimit, duhet të kemi kontributin e shoqërisë civile, komentet e tyre e njëkohësisht edhe të delegacionit të KE-së në Tiranë. Nuk kemi shumë kohë, ndaj kemi parashikuar që nga data 26 deri në 29 dhjetor të fillojmë diskutimet për çdo prioritet. Kjo do të thotë se institucionet duhet të na dorëzojnë në harkun kohor prej 3-4 ditësh, përfshirë edhe këtë fundjavë, inputin e tyre për prioritetin që kanë nën përgjegjësi”, tha ministrja që u kërkoi përfaqësuesve të grupeve të punës, të bëjnë saktësimet në buxhetimin për çdo masë të ndërmarrë, pra vlerës financiare që kushton çdo aktivitet, si dhe prioritizimin e këtyre masave. Ky takim zhvillohet pas atij të datës 12 dhjetor, kur ministrja Bregu e shoqëruar nga stafi teknik, paraqiti në komisionin parlamentar të integrimit dy drafte të metodologjisë për rishikimin e planit. Po ashtu, më datë 13 dhjetor iu dërgua zyrtarisht komisionit të integrimit drafti i parë sipas skemës së përzgjedhur nga anëtarët e komisionit, ndërsa më 14 dhjetor iu dërgua kalendari që përcakton detajet e procesit të rishikimit të planit deri në finalizimin e tij.
Më 20 dhjetor është dërguar pranë të gjitha institucioneve përgjegjëse për rishikimin e planit, udhëzuesi për plotësimin e detyrimeve respektive. “Ndërkohë presim që planin e rishikuar të veprimit ta rikthejmë në komision të integrimit pas konsultimit me shoqërinë civile në janar të 2012-ës. Kjo do të thotë që do të jemi gati për ta dërguar pranë shërbimeve të komisionit europian diku nga fillimi i shkurtit 2012”, tha më tej ministrja.
Takimi i sotëm ishte takimi i parë koordinues me të gjitha institucionet, të cilat janë përgjegjëse për rishikimin e planit të veprimit, Ministria e Brendshme për prioritetet 6 dhe 9, Ministria e Drejtësisë për prioritetet 7, 10, 12, departamenti i anti-korrupsionit për prioritetin 8, Ministria e Punëve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për prioritetin 11, ndërkohë që për prioritetet 1 deri në 5, kontributi do të rishikohet me Komisionin Parlamentar të Integrimit. Përveç takimit, ministrja Bregu, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me mundësitë për marrjen e statusit të vendit kandidat brenda pranverës së vitit 2012, tha se Brukseli ka mbajtur nj qëndrim shumë konstruktiv lidhur me progresin e Shqipërisë dhe mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat. Sipas saj, Bashkimi Evropian përshëndet zotimin e qeveris dhe mazhorancës parlamentare, në realizimin e reformave t kërkuara nga Brukseli. “Ju keni patur dje disa komente nga Brukseli, përshëndetjen e z. Fyle, i cili përgëzoi Shqipërinë për zgjedhjen e Ombudsmanit, pra votimin e propozimit të ardhur nga opozita; gjithashtu përshëndetjen e ambasadorit të KE-së në Tirane, Ettore Sequi, i cili vlerësoi zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Në të dyja këto deklarata kishte vlerësim dhe për mbajtjen e fjalës së mazhorancës. Ky ishte nj premtim i mbajtur i mazhorancës me vetëdijen që zgjedhja e Avokatit të Popullit i takon dhe duhet të jete e opozitës, pra mund të ishte mbyllur lehtësisht 2 vjet më parë. Është e vështirë të mos thuash, sesa lehtë do ta kishim patur për të përmbushur 12 rekomandimet e Planit të Veprimit, nëse ky bashkëpunim mes opozitës dhe mazhorancës dhe konsensusi i opozitës për të votuar dhe për të marrë përgjegjësitë e saj në procesin e integrimit, do të kishte qenë i mundur më parë. Gjithsesi, është hequr nga lista njëri prej 12 rekomandimeve të KE-së; gjithë lista duhet të shkojë në një ‘countdoën’, rekomandimet duhet të ezaurohen, kjo është ajo që ka rëndësi për mua.
Përsa i përket datës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE, proces drejt të cilit është dhe statusi i vendit kandidat, nuk është një datë që e përcakton politika shqiptare dhe faktori shqiptar. Por, vonesat në plotësimin e detyrimeve, e vonojnë këtë datë, sikurse ndodhi dy vite me pare. Angazhimi për të përmbushur deri në mars ose pranverë - kam parasysh këtu nisjen nga puna të komisionit të reformës zgjedhore, komisioni ad hoc për funksionimin e parlamentit dhe njëkohësisht zbatimin e 12 rekomandimeve, janë një pjesë e Opinionit të vitit të kaluar, pasi ato janë baza për hapjen e negociatave, jo për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kështu që angazhimi i politikës shqiptare në përmbushjen e këtyre detyrimeve është nj sinjal që i tregon Europës se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë. Besoj që nëse çdo gj arrin të realizohet brenda pranverës, të gjitha mundësitë janë të afërta për Shqipërinë. Është Këshilli Europian i dhjetorit, i pranverës apo paketa e zgjerimit të tetorit, këtë nuk mund t’ua them unë, sepse nuk e vendos unë axhendën e Komisionit apo të Këshillit Europian. E theksoj, e rëndësishme është që ne të tregojmë se po realizojmë detyrimet tona. Në momentin që Shqipëria tregon se po realizon detyrimet, atëherë datat do të jenë më të afërtat e mundshme”- tha më tej, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
Zgjedhja e Avokatit të Popullit, një premtim i mbajtur nga mazhoranca/Ministrja e Integrimit Europian, Majlinda Bregu përshëndeti dje në një prononcim për mediat, zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke theksuar se ky proces mund të ishte mbyllur me të njëjtën lehtësi edhe një vit apo dy vite më parë. “Ajo që ndodhi dje ishte një premtim i mbajtur i mazhorancës, me vetëdije që Avokati i Popullit i takon dhe duhet të jetë i opozitës. Ky ishte një proces, i cili ka shënuar heqjen nga lista të njërit prej rekomandimeve të Bashkimit Europian, por që do të kishte qenë lehtësisht i realizueshëm edhe një vit më parë”, tha Bregu. Gjithsesi, vijoi ministrja, “është e vështirë të mos thuash dhe të mos mendosh, në momentin që realizohet një nga objektivat, sesa të lehtë do ta kishim pasur për të përmbushur 12 prioritetet e planit të veprimit nëse ky bashkëpunim mes opozitës dhe mazhorancës dhe ky konsesus i opozitës për të votuar dhe marrë përgjegjësitë e saj në procesin e integrimit europian do të kishte qenë i mundur”.
Përsa i takon datës së anëtarësimit në BE, Bregu u shpreh se nuk ka rëndësi data e anëtarësimit europian sesa procesi i marrjes së statusit të vendit kandidat, proces në të cilin po ecën Shqipëria. “Nuk është një datë që e përcakton politika shqiptare dhe faktori shqiptar. E vërteta është që vonimi i plotësimit të detyrimeve e vonon këtë proces dhe e vonon këtë datë sikurse ka ndodhur këto dy vjet”, tha Bregu. “Nëse çdo gjë arrihet të realizohet brenda periudhës së pranverës, atëherë të gjitha mundësitë e tjera janë më të afërta për Shqipërinë”- theksoi Bregu. Sipas ministres, do të jetë këshilli i qershorit apo shtatorit që do të vendosë në axhendë shqyrtimin e statusit. “Në momentin që Shqipëria tregon se po realizon detyrimet atëherë gjithçka është mirë”- tha Bregu.