E Diel, 1 Nëntor 2026

Denisovani qe vjen nga Azia eshte kusheriri i Neandertalit

Në një shpellë siberiane me emrin Denisovan është gjetur vetëm kocka e një dhëmbi me moshë mbi 50 mijëvjeçare. Shkencëtarët e Institutit Max Planck, përmes mrekullive të ADN-së, ia kanë dalë që të rindërtojnë njeriun me emrin Denisovan, kushëririn tonë të largët…

Kushëriri që nuk e prisnim trokiti në derën tonë në vigjilje të Krishtlindjeve dhe u prezantua: “Më quajnë Denisovan, vi nga Azia dhe e vetmja gjë që mund t’ju tregoj nga vetja ime, më falni, por kaq mundësi kam, është një dhëmb i vogël...”

Kjo është një histori e mrekullueshme e rrëfyer nga shkencëtarët e Institutit Max Planck. Zbulimi, i cili u detyrohet shumë mrekullive të teknologjisë së ADN-së, na bën ne njerëzit me një kushëri të largët, të cilin e kishim injoruar për gjithë këta vjet.

Vetëm falë sekuencës së gjenit shkencëtarët ia dolën që të ndërtonin pamjen e të afërmit tonë misterioz, nisur nga detaje shumë të vogla dhe të parëndësishme, madje nga një detaj i vetëm nga kocka e një dhëmbi. Vetëm kaq ka sjellë nga e shkuara misterioze në ditët tona ky kushëri i panjohur. Por duket se ka qenë mjaftueshëm për shkencën gjenetike, e cila vitet e fundit po bën mrekullira. Nga kjo kockë dhëmbore e lashtë mrekullia e ADN-së na ka shpalosur pamjen e shumëdëshiruar. Bëhet fjalë për një ndërtim të një individi nga pjesëza më e vogël e tij që ka ekzistuar ndonjëherë. Kurrë më parë një trup i tërë nuk është rindërtuar gjenetikisht nisur vetëm nga një material bazë kaq i papërfillshëm. E megjithatë shkencëtarët ia kanë dalë mbanë.

Historia e Denisovanit ndërthuret me atë të Neandertalit dhe rihap kështu pyetjet dhe enigmat në lidhje me familjen tonë njerëzore shumë të komplikuar. Për dhjetëvjeçarë me radhë shkencëtarët na kishin siguruar për gjithçka në lidhje me paraardhësit tanë, pra për prejardhjen tonë nga Homo sapiens. Por së fundi shkencëtarët e institutit gjerman na kanë bërë që ta rishohim edhe njëherë kartën tonë të identitetit.

Një nga profesorët që është marrë me ndërtimin gjenetik të “kushëririt” tonë realizon gjenin e plotë të Neandertalit dhe ndërkohë ka zbuluar se kjo specie humane, që ka lënë shumë gjurmë në fosile të ndryshme nga Azia në Europë, të datojë me 240 mijë vjet më parë, ndan 2.55 të ADN-së së saj me aziatikët dhe europianët e sotëm. Ndërkohë nuk ka asgjë të përbashkët me afrikanët e sotëm. Që këndej del përfundimi se para se të zhdukeshin nga sipërfaqja e Tokës, për arsye që ende sot nuk janë zbuluar, Neandertali u ndërthur me Homo sapiensin, kur paraardhësit tanë lanë Afrikën për të ardhur në Europë rreth 60 mijë vjet më parë.

Po Denisovani? Gjithçka nis nga rigjetja e fosileve në një shpellë në Siberi, emri i së cilës ishte pikërisht Denisovan. Bëhet fjalë për kockën e një dhëmbi të paktën 50 mijë vjet të vjetër. Po kujt i ka përkitur kjo kockë? Edhe këtë herë është ADN-ja ajo që na ofron përgjigjen e duhur. Dhe përfundimi është vërtet shokues. “Çfarë tronditje”, shkruan në “New York Times” një shkencëtar, “të zbulosh se ky dhemb u përket qenieve të panjohura deri më tani”. Pra nuk i takon njeriut të Neandertalit, paraardhësit tonë, as atij të Cro – Magnon. Thuhet se vetë Homo Sapiens është gjetur në një shpellë në Francë. Madje nuk i ngjan as Homo floresiensit nga ishulli i Flores në Indonezi. Bëhet fjalë për “vogëlushin” që studiuesit e kishin pagëzuar “Hobbit” dhe që deri më sot ishte kushëriri më i fundit i njohur i familjes njerëzore, që me sa duket është shumë më e gjerë.

Vendimi erdhi nga studiuesit e Harvardit, të cilët kanë konkluduar se bëhet fjalë për një specie të re humane, që ka shumë të ngjarë të jetë shkëputur nga trungu i përbashkët i paraardhësit të Neandertalit në Afrikë në një periudhë rreth 400 vjet më parë. Me sa duket duhet të jetë një specie që në një moment të caktuar të evolucionit të saj vendosi që të bënte një rrugë të shkëputur nga dega kryesore prej nga vinte. Dhe duhet të ketë bërë shumë rrugë. Shkencëtarët, para se të dilnin në përfundimet e tyre, kanë bërë shumë analiza me ADN-në e dhëmbit për të parë nëse i ngjante apo jo Neandertalit. Dhe jo vetëm kaq, por përfundimin e analizës së ADN-së e kanë krahasuar më pas me ADN-në e banorëve aktualë të Afrikës së Jugut, Nigerisë, Francës, Guinesë së Re. Dhe sipas këtij hulumtimi, gjurmët e përbashkëta shfaqeshin në popullatat e Malajzisë. Pas analizave të mëtejshme të bëra edhe me popullsi dhe grupe gjenetike të tjera, doli se Denisovani ynë ishte spostuar deri në Azinë e largët.

Por migrimi i tyre nuk është misteri i fundit që ka mbetur ende për t’u zgjidhur. Shkencëtarët shpresojnë që të gjejnë ndonjë fragment tjetër të kushërinjve për të sjellë më pranë forma dhe tipare të dukshme të tij.

Cila ka qenë vallë pamja e tyre e jashtme? A na ngjanin ndopak? Nëse po, në cilat tipare më shumë? Për momentin duhet që të mjaftohemi me kockën e dhëmbit, që të paktën na bën të ëndërrojmë dhe të shpresojmë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›