Perfaqesimi i nxenesve me rregulla te ministrise
Qeveria e nxënësve dhe bordi i institucionit, funksionojnë dhe organizohen në bazë të akteve nënligjore të nxjerra nga ministri i Arsimit. Ky është një propozim që vjen si një nga pikat e projektligjit për arsimin parauniversitar. Në shkollë funksionon qeveria e nxënësve, e cila ka për mision të mbrojë të drejtat e nxënësve në shkollë e posaçërisht të punojë për parandalimin dhe eliminimin e çdo forme të keqtrajtimit të nxënësve. Sipas projektligjit për arsimit parauniversitar, qeveria e nxënësve duhet të japë ndihmesën në plotësimin e nevojave të nxënësve dhe në zhvillimin e interesave të tyre në mbarëvajtjen e shkollës, si dhe të përfaqësojë nxënësit e shkollës në bordin e shkollës dhe në organizma të tjerë të shkollës. “Organizimi dhe funksionimi i qeverisë së nxënësve rregullohet me akte nënligjore të nxjerra nga ministri”, thuhet në projektligjin e arsimit parauniversitar. Sipas projektligjit të prezantuar pak kohë më parë nga ministri i Arsimit në shkollë funksionojnë organizime jopolitike të nxënësve me nismën e tyre, si rrethe shkencore, kulturore ose sociale, sipas interesave të nxënësve. Bordi i institucionit arsimor është organ kolegjial që përfaqëson interesat e nxënësve dhe prindërve të tyre në institucionin arsimor dhe jep ndihmesën në përmirësimin e cilësisë së shërbimit arsimor të institucionit. “Numri i anëtarëve të bordit, si dhe mënyra e funksionimit dhe organizimit përcaktohen me udhëzim të ministrit”, thuhet në projektligj. Bordi i institucionit arsimor publik ka për detyrë edhe të miratojë planin financiar të institucionit, të mbikëqyrë zbatimin e tij dhe të sigurojë fonde financiare për institucionin.