Dënohen 2 grupe të trafikut të drogës
TIRANE - Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka lënë dje në fuqi dënimin e dhënë në prill të këtij viti nga Shkalla e Parë për tre persona të akuzuar për “trafik të lëndëve narkotike”. Apelimi i vendimit për 24 vjet heqje lirie në total për Artan Aliajn, 29 vjeç, Myrteza Bejon, 50 vjeç dhe Dejvis Kolecin, 28 vjeç, nuk u ka lehtësuar asgjë atyre. Në seancën e djeshme pesëshja gjykuese ka dhënë vendimin e saj, i cili ishte i njëjtë me dënimet e dhëna nga Gjykata e për Krimet e Rënda në 29 prill të këtij viti. Sipas vendimit të dhënë dje, Aliaj dhe Koleci duhet të vuajnë nga 12 vjet heqje lirie, ndërsa Bejo, 11 vjet. Tre të sipërpërmendurit janë prangosur nga policia në shkurt të vitit 2007. Një aksion i efektivëve antidrogë të kryeqytetit ka ndaluar fillimisht Aliajn në automjetin tip “Audi a3” me targa BR 9897 A të të cilit u gjetën 9 kg e 759 gramë heroinë dhe 5 kg përzierës të lëndës narkotike. Sipas policisë droga ishte fshehur në kasat e një televizori që ndodhej në bagazhin e automjetit. Në vijim të këtij operacioni u vunë në pranga edhe Koleci e Beja, të cilët rezultuan të ishin bashkëpunëtorë të tij në trafikimin e drogës. Pas dënimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ata apeluan vendimin, por dje edhe Gjykata e Apelit la të njëjtin dënim për ta. Po dje Gjykata për Krimet e Rënda ka dhënë vendimin për dënimin me 50 vjet burg të 5 personave të akuzuar për trafikimin e 711 kilogramëve marijuanë. Në seancën e djeshme gjyqësore, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Etleva Deda, pasi ka marrë parasysh kërkesën e bërë nga pala e akuzës dhe pretendimet e mbrojtësve vendosi dënim me nga 10 vjet burg për Kastriot Abazajn, Andrea Kutelajn, Aleks Hysajn, Valmir Likajn dhe Hysni Dervishaliajn. Mësohet se ata janë arrestuar në shtator të vitit 2007 në Vlorë nga operacioni policor i koduar “Enigma”. Sipas Prokurorisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata do të trafikonin sasinë prej 710 kilogramë marijuanë drejt Italisë. ar.ba