E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana në delir, mund Milanin e Ronaldinjos në “Qemal Stafa”

 

Ergis Tafalla

Në një atmosferë padyshim unike që për nga pjesmarrja e të pranishmëve në stadium kalonte përmasat e ndeshjeve të përfaqësues madje dhe të atyre që gjatë këtyre viteve mund të konsiderohen si eventet më të rëndësishme mbarë kombëtare, është zhvilluar mbrëmë takimi miqësor mes Tiranës dhe Milanit legjendar.Një takim gjatë të cilit surprizat nuk kanë reshtur për asnjë moment. Rezultati final i kësaj miqësoreje mund të konsiderohet në mënyrë të padiskutueshme çudia më e madhe teksa Tirana 23 herë kampione e Shqipërisë ka mundur me rezultatin 2-1 Milanin kampion bote në fuqi për klube. Dy golat spektakolarë të bardhebluve të realizuar përkatësisht nga Daniel Xhafaj në të 29’ dhe Muzaka në të 72’ kanë bërë që Tirana të tiumfojë mbi kuqezinjtë legjendar të cilëve nga ana tjetër nuk u ka mjaftuar një traversë dhe goli i vetëm i shënuar nga Ronaldinjo në minutën e 91’.
Atmosfera
Thuajse i mbushur në kapacitet të plotë, i gjithë stadiumi kombëtar, “Qemal Stafa” për të parën herë nuk ka patur “luftë” mes tifozerisë e cila mbrëmë ka mbështetur në mënyrën më të zjarrtë që të dy ekipet në fushë. Një mbështetje kjo e spordashësve që kishin mbushur shkallët e stadiumit e cila u bë gjithmonë e më e nxehtë deri pas ndeshjes e madje dhe ndarjes së trofeut të parë “Taçi Oil Albania Reads”. Prekjet magjike të topit nga ana e yjeve kuqezi kanë fituar në çdo moment duartrokitjet dhe brohoritjet e të gjithë të pranishmëve në stadium të cilët gjithashtu kanë provuar emocionet më të mëdha në momentet e shënimit të golave bardheblu që i dhuruan Tiranës lavdinë e një fitoreje të magjishme. Duke thyer çdo parashikim me fitoren e arritur mbrëmë ndaj Milanit legjendar që numëron numrin më të madh të trofeve ndërkombëtar, padyshim që komplimentet më të mëdha shkojnë për kontingjentin bardheblu. Me imazhin e ri të prezantuar mbrëmë, Tirana jo vetëm që ka triumfuar ndaj kuqezinjve por madje në pjesën e dytë të takimit ka ndezur edhe reagimin e ashpër të futbollistëve milanistë. Këta të fundit ndonëse bënë gjithçka për të mos humbur këtë miqësore, kanë shënuar mbrëmë në Tiranë disfatën e tyre të 6 në 8 miqësoret e zhvilluara në këtë edicion. Ndryshe nga eksperiencat e mëparshme të lidhura mes dy kampeve, kësaj here fituesi i topit të artë, Shevçenko është larguar i mundur nga stadiumi “Qemal Stafa” ndryshe nga koha kur me ekipin e tij përfaqësues, Ukrainën, fitonte 0-2 ndaj Shqipërisë. Ndërkohë, nga dueli mes krerëve të dy bankinave të cilët janë ndeshur në të kaluarën në kampionatin italian kur Ançeloti aktivizohej me Milanin ndërsa Slishkoviç me Peskaran, kësaj here ka triumfuar lavdia e vjetër boshnjake, “Baka”.
Trofeu
Trofeu “Taçi Oil Albania Reads” i është dhënë mbrëmë bardhebluve në fund të ndeshjes nga vetë organizatori dhe presidenti i kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi. Kanë qenë kapiteni i Tiranës, Devi Muka dhe portieri veteran, Blendi Nallbani ata kanë ngritur të parët trofeun teksa me ta u bashkua edhe kryedonatori i bardhebluve, Refik Halili.

Ançeloti: Stërvitje e suksesshme
“Ishte një stërvitje e suksesshme për ne pasi pata mundësinë të inspektoja si duhej paraqitjen e disa lojtarëve. Padyshim që Ronaldinjo po shfaq një përmirësim të dukshëm. Në qendër të vëmendjes sime ishin edhe Nesta e Inzagi. Ky i fundit u dëmtua në kofshë dhe u desh të linte ndeshjen, por nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Nesta mund të aktivizohet edhe ndeshjen e të dielës”.

Ambrozini: O Zot sa shumë njerëz
Zv/kapiteni i Milanit, Masimo Ambrozini, është befasuar kur ka parë një lumë tifozësh shqiptar që e prisnin jashtë aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit. “O Zot, qenkan vërtetë shumë njerëz”, u ka thënë shokëve mesfushori italian, gjatë kohës që po i drejtohej autobusit që e transportoi të gjithë skuadrën e Milanit drejt hotel “Sheraton”.

Maldini: Projekt i rëndësishëm
“Përfitoj nga rasti që të falënderoj në emër të të gjithë skuadrës, mikpritjen që na është ofruar në Shqipëri. Jam i kënaqur që marr pjesë në projektin e nisur nga “Taçi Oil” dhe nga Milani, jo vetëm në cilësinë e kapitenit të Milanit, por edhe si ambasador i Unicef-it”, ka thënë mbrojtësi i famshëm i skuadrës kuqezi gjatë deklaratës së djeshme në konferencën për shtyp.

Dinjo: I lumtur që erdha këtu
“Jam i kënaqur që ndodhem këtu dhe i falënderoj të gjithë për mikpritjen e përzemërt. Gjatë gjithë këtyre orëve që kam qëndruar në Shqipëri kam ndjerë mbështetjen dhe ngrohtësinë e sportdashësve rreth meje. Jam i lumtur që jam këtu edhe për faktin që ndodhem në këtë vend me fanellën e Milanit”, ka thënë ylli brazilian.

Borielo bën humor me tifozët  
Në një moment disa nga fansat e Milanit i kanë shpëtuar mbulimit të punonjësve të sigurimit dhe kanë nxituar t’i kërkojnë foto sulmuesit të Milanit, Marko Borielos. Ky i fundit, i ka dribluar ata duke iu thënë: “Më mirë dilni me Shevçenkon në foto. Priteni këtu se po vjen pas meje”. “Shigjetat” e sulmuesit italian në adresë të yllit ukrainas, ngjallën zhgënjim, por edhe humor. 

Kuzhinieri i Milanit: Si ushqehen kampionët e Evropës
Kuzhinieri i Milanit, Oskar Pazini mbërriti enkas në Shqipëri për të gatuar për skuadrën. “Gatuaj për Milanin, prej 20 vjetësh. Lojtarët te Milani janë nga vende me kuzhinë të ndryshme. Jo të gjithë hanë njësoj, nuk ka diferenca. Kur shohin ushqimin që bëjmë ne, e dinë që është ai i duhuri. A bën Ronaldinjo naze në të ngrënë? Jo, futbollistët janë mësuar, hanë shumë perime”.

Dorëzimi i trofeut “Taçi Oil”
Trofeu “Taçi Oil Albania Reads” i është dhënë mbrëmë bardhebluve në fund të ndeshjes nga vetë organizatori dhe presidenti i kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi. Kanë qenë kapiteni i Tiranës, Devi Muka dhe portieri veteran, Blendi Nallbani, ata që e kanë ngritur të parët trofeun, të cilëve  iu bashkua edhe kryedonatori i bardhebluve, Refik Halili.

Berisha pas 14 vitesh në stadium: I solla fat Tiranës

Përveç se i ka pritur në ambientet e kryeministrisë, kreu i saj Sali Berisha ka zgjedhur t’i ndjekë ‘djajtë e kuq’ përballë Tiranës në ndeshjen për trofeun “Taci Oil Albania” edhe nga tribuna VIP në shkallët e impjantit “Qemal Stafa”. Për herë të fundit kreu i Ekzekutivit ka qenë i pranishëm në stadium në 1995, pas plot 13 viteve për eliminatoret e kampionatit evropian Euro 2006, vit në cilin Shqipëria fitonte me rezultatin e pastër 3-0 ndaj kombëtares moldave. Ndërkohë edhe këtë radhë kryeministri Berisha ka qenë këmbë mbarë për tanët këtë herë për Tiranën, gjë të cilën e pohon pas ndeshjes. “Siç e shohim unë sjell vetëm mbarësi kur vij në stadium. Këtë ditë e konsideroj si hapje të fushatës zgjedhore me fitore”. Në takimin që zhvilloi në Kryeministri me përfaqësinë e ekipit prestigjoz të futbollit italian, Berisha shprehu kënaqësinë e tij dhe të sportdashësve shqiptarë për këtë eveniment kaq prestigjoz dhe kaq të dobishëm.

Galiani: Milanin e sollëm për nder të Rezart Taçit

Jetmir Halilaj

“Nëse Milani ndodhet sot këtu, për këtë duhet të falënderoni presidentin e kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçin, i cili bëri të pamundurën që kjo të realizohej dhe ia arriti qëllimi”, ka thënë administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, në konferencën e djeshme për shtyp.
Ai më pas ka falënderuar të gjithë shqiptarët për mikpritjen që i kanë bërë skuadrës kuqezi, duke thënë se kjo ishte një kënaqësi e madhe edhe për të. “Jam i kënaqur dhe krenar që ndodhem këtu mes miqsh – ka thënë drejtuesi i lartë i Milanit. – Falënderoj të gjithë shqiptarët për mënyrën se si na kanë pritur. Jam i lumtur dhe krenar që skuadra e Milanit ka kaq shumë tifozë edhe në Shqipëri”. Më tej ai është ndalur në takimin që zhvilloi dje me kryeministrin Berisha dhe e falënderoi atë për të pritjen dhe respektin që tregoi ndaj delegacionit dhe klubit të Milanit. “Ndihem i nderuar nga fakti që kryeministri i vendit tuaj, Sali Berisha, organizoi një pritje për ne, – ka shtuar Galiani. – Gjatë gjithë kohës ai na foli në gjuhën italiane, çka tregoi më së miri vlerësimin që ka për vendin tonë dhe për klubin tonë. I shpreha atij përshëndetjet e përzemërta të presidentit të Milanit, Silvio Berluskoni, sepse fola me të para se të vija këtu dhe me sinqeritetin më të madh më tha se do të donte që edhe ai të ndodhej këtu në këto momente”. Presidenti i kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi, e quajti ditë historike atë të djeshmen dhe vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me klubin dhe drejtuesit e Milanit. “Jam shumë i lumtur, sepse sot u realizua një ëndërr të të gjithë sportdashësve shqiptarë dhe falë bashkëpunimit e vullnetit të mirë me drejtuesit e klubit të Milanit, demonstruam qartë se ëndrrat mund të bëhen realitet. Jam shumë i lumtur që Milani ndodhet në Tiranë dhe akoma më i lumtur që tifozët shqiptarë do të mund të shohin nga afër yjet e tyre”, është shprehur dje Taçi, gjatë konferencës për shtyp. Më tej ai ka theksuar edhe njëherë se qëllimi i vizitës së Milanit mbart në vetvete edhe vlera të larta humanitare, pasi një pjesë e mirë e parave që do të përfitohen nga biletat, do të përdoren për bamirësi, por edhe për ndërtimin e bibliotekave në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Han: Kristiano Ronaldo ndalet vetëm me pistoletë

Në prag të ndeshjes së sotme me Portugalinë, e vlefshme për kualifikueset e kampionatit botëror “Afrika 2010”, holandezi i pankinës kuqezi, Ari Han, ka dhënë konferencën e tij të fundit për shtyp. Gjithçka është zhvilluar dje në mesditë, në ambientet e hotel “Guimaraesh”, aty ku është akomoduar kombëtarja jonë. Sipas trajnerit Han, ndeshja e së mërkurës është shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, si për Portugalinë vendëse, ashtu edhe për Shqipërinë. “Momentalisht, Portugalia në ndeshjet që ka luajtur nuk ka marrë ato pikë që meriton. Në të tilla kushte, kjo sfidë është e vështirë, sepse rezultati më i mundshëm që mund të parashikohet për të është fitorja e Portugalisë, - ka theksuar Han, i cili më tej ka vazhduar: - Ne presim një Portugali që do të luajë e gjitha në sulm, sepse vetëm fitorja mund të konfirmojë te vendësit gjendjen e mirë që kanë aktualisht. Megjithatë, ne kemi ardhur për ta ndalur këtë skuadër”. Pyetjes së gazetarëve portugezë se si mund të ndalet Kristiano Ronaldo, Hani i është përgjigjur me humor: “Kristiano Ronaldo mund të ndalet vetëm me pistoletë. Eshtë një sulmues i shpejtë dhe i vështirë për t’u ndalur. Por jo vetëm kaq, Portugalia ka një grup mjaft të mirë lojtarësh, ashtu siç ka në krye dhe një trajner të zot. E përsëris edhe një herë: ndeshja është e vështirë, por do të bëjmë të pamundurën për ta ndalur Portugalinë”. Duke mbetur te skuadra shqiptare, holandezi i pankinës kuqezi ka konfirmuar për të gjithë gazetarët vendës e shqiptarë, se ekipi që stërvit ai e ka kaluar tashmë gjendjen e shokut pas humbjes 0-2 me Hungarinë. “Skuadra e ka kaluar gjendjen e shokut pas humbjes me Hungarinë. Atje u ndëshkuam fillimisht nga një gol aksidental, që ktheu rrjedhën e lojës. Por tani them se gjithçka ka kaluar. E dimë se është e vështirë përballë një kundërshtari si Portugalia, megjithatë skuadra duhet të reagojë pas një humbjeje. Nëse nuk arrin ta bëjë këtë, atëherë do të thotë se ka diçka që nuk shkon”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›