Policia vret shqiptarin në Itali
Një shqiptar u vra dje nga policia italiane pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar makinën e tij për kontroll. Ai u qëllua për vdekje nga një karabinier në një postbllok policie në Siena të Italisë. Shqiptari po ndiqej nga efektivët italianë, pasi nën shoqërinë e një personi tjetër po udhëtonin në një automjet të vjedhur në Colle Valdelsa, provincë e Sienës. Për shkak se viktimës nuk iu gjet asnjë dokument me vete, policia italiane arriti të zbulonte identitetin e tij vetëm disa orë më vonë, me anë të gjurmëve të gishtërinjve. Pas identifikimit të viktimës rezultoi se shqiptari ishte skeduar 12 herë për krime të ndryshme dhe kishte dhënë 9 identitete të rreme në shtetin fqinj për periudha të ndryshme kohore.
Vrasja
Ngjarja në të cilën mbeti i vrarë Thoma Zeni, 35 vjeç, ndodhi rreth orës 06:30 të ditës së djeshme në provincën Colle Val d’Elsa në Siena të Italisë. Për shkak të një serie vjedhjesh të ndodhura kohët e fundit në zonë, policia kishte rritur gatishmërinë dhe ishte në një aksion kontrolli. Mëngjesin e djeshëm në një nga këto pika kontrolli është parë një automjet “Lançia Y”, brenda së cilës ndodheshin dy persona dhe po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara. E identifikuar menjëherë si një automjet i vjedhur, drejtuesit të saj i është bërë shenjë ndalimi nga policia. Por kjo nuk është dukur aspak bindëse për drejtuesin e automjetit “Lançia”, i cili ka shtuar më tepër shpejtësinë dhe ka përfunduar duke u përplasur me një automjet të policisë. Pas përplasjes automjeti ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës. Dy personat që ndodheshin në makinë, ndër të cilët edhe 35-vjeçari Zeni, kanë zbritur prej saj me qëllim arratinë në këmbë prej policisë. Në këto momente, sipas mediave italiane është dëgjuar shpërthimi prej automjetit “Lançia”, i cili mendohet të jetë shkaktuar nga plasja e airbag-ut. Zhurma ka “ndezur” vigjilencën e një polici, i cili ka qëlluar drejt dy personave që po vraponin, duke lënë të vdekur në vend Zenin. Ndërsa personi tjetër ka mundur të arratiset.
Operacioni
Në të njëjtën kohë policët pjesëmarrës në operacion përpara se të gjurmonin “Lançia”-n kishin tentuar të bllokonin edhe dy automjete që rezultonin të vjedhura në zonë, një “Opel Astra” dhe një fuoristradë, por zotëruesit e tyre kishin mundur t’i shpëtonin kapjes. Sipas policisë, mendohet se shqiptari ishte pjesë e një bande që kryenin vjedhje në zonë. Megjithatë mësohet se një hetim i brendshëm ka filluar në shtetin fqinj për rrethanat në të cilat është vrarë emigranti shqiptar.
Angli, dënohet me 34 vjet burg emigranti shqiptar
ANGLI – Gjykata shpalli fajtor dhe dënoi me 34 vite burg emigrantin shqiptar Herland Bilali, 26 vjeç, i akuzuar për vrasjen e një bashkëkombësi të tij. Trupi gjykues deklaroi se e ka gjetur fajtor shqiptarin për kryerjen e një vrasjeje dhe për tre vrasje të tjera të mbetura në tentativë. Mediat britanike shkruanin dje se është pikërisht shqiptari Herland Bilali, i cili u gjet fajtor nga gjykata për vrasjen e Prel Markut, ngjarje e ndodhur dy vjet më parë në kryeqytetin britanik Londër. Vrasja që në atë kohë tronditi opinionin publik britanik u krye pasi Bilali kishte menduar se shqiptari tjetër, Prel Marku, po fitonte para në territorin ku zhvillonte aktivitetin kriminal i dënuari i djeshëm. Menjëherë pasi ka kryer veprën penale, 26-vjeçari Bilali ishte larguar nga Anglia, por u arrestua në muajin shtator në Danimarkë. Prokurori britanik falënderoi autoritetet që mundësuan arrestimin dhe dërgimin e shqiptarit në gjyq, por edhe vendet e Evropës Lindore që dhanë mbështetjen e tyre në këtë hetim.