Kapet pas 9 vitesh në Tiranë i kërkuari për vrasjen e gruas
TIRANE - Arrestohet në kryeqytet i shumëkërkuari pas dënimit me 10 vite burg për vrasjen e bashkëshortes së tij. Faik Tola, rreth 45 vjeç, nga Librazhdi, banues në Elbasan, është arrestuar dje në mesditë në afërsi të stacionit të trenit në kryeqytet nga policia e Tiranës dhe e Elbasanit. I kërkuari, sipas burimeve të policisë, është dënuar me 10 vite burg për veprën penale të vrasjes në vitin 2000 nga Gjykata e Librazhdit. Ai është akuzuar se në vitin 1999 ka vrarë bashkëshorten e tij, në një fshat të Librazhdit, për motive xhelozie. Pas krimit të kryer në vitin 1999, Faik Tola është larguar nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, ku dhe mësohet se ka qëndruar në rajone të ndryshme. Gjatë kësaj kohe familja e tij është zhvendosur nga Librazhdi në drejtim të Elbasanit. Vetë i kërkuari rreth një vit pas krimit është dënuar me 10 vite burg me vendim të formës së prerë, ndërsa gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në Greqi. Për herë të fundit ai ka qëndruar në Korfuz, të cilin e ka braktisur rreth tri javë më parë dhe ka mbërritur në Shqipëri. Më pas ai është vendosur në Paskuqan në një banesë të marrë me qira. Vendndodhja e tij e re është diktuar nga policia, të cilët kanë organizuar punën dhe e kanë ndaluar në afërsi të stacionit të trenit. Pas kryerjes së veprimeve rutinë në Drejtorinë e Tiranës, i kërkuari është dorëzuar në policinë e Elbasanit. d.b