E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohen huliganët serbë

Huliganët serbë janë dënuar me 240 vjet burg nga një gjykatë serbe në Beograd. 14 huliganët kanë dalë fajtorë për vrasjen e tifozit francez Brice Taton në vitin 2009, në ndeshjen e Europa League ndërmjet Partizan e Toulouse. Dënimet e huliganëve sillen nga 4 deri në 35 vjet burg. Nga Express më 26 janar 2011 në ora 10:36

Gjykata serbe të martën ka dënuar 14 huliganë serbë, me total 240 vjet burg, për vrasjen e tifozit francez Brice Taton në vitin 2009. Dy nga të dënuarit, Djordje Prelic e Dejan Puzigaca, do të qëndrojnë prapa grilave për 35, respektivisht 32 vjet.

Edhe pse në mungesë, ata u dënuan pas një procesi gjyqësor që zgjati 7 muaj. Ljubomir Markovic e Ivan Grkovic u dënuan me nga 30 vjet, ndërsa shumica e grupit pjesëmarrës në këtë rast u dënuan nga 12 deri në 14 vjet.

Pak më lehtë kaluan huliganët Dejan Stankovic e Stepa Petrovic, të cilët u dënuan me 5, përkatësisht 4 vjet burg. Brice Taton ishte tifoz i klubit francez Toulouse. Ai kishte udhëtuar drejt Beogradit për ta parë ndeshjen e Europa League ndërmjet ekipit që e simpatizonte dhe klubit serb Partizan, më 17 shtator të vitit 2009.

Por, ai, si dhe shumë tifozë të tjerë francezë, e kishin pësuar keq, pasi ishin sulmuar nga huliganët e njohur serbë, përkatësisht mbështetësit e Partizanit. Prelic dhe Puzigaca i kishin drejtuar tifozët tjerë që t’i sulmonin tifozët jo-provokues francezë.

Taton ishte ulur në një kafe në qendër të Beogradit me fansat tjerë francezë, kur ishin sulmuar papritmas nga huliganët serbë, të cilët me këtë rast përdorën shkopinj bejsbolli, shufra hekuri dhe shishe, duke lënë shumë tifozë të lënduar rëndë.

I rrahur egërsisht dhe i hedhur në tokë si një leckë, Taton kishte ndërruar jetë në spital 12 ditë më vonë. Doktorët kishin konstatuar se pjesa vitale e organeve të trupit të tij, por edhe koka, ishin dëmtuar rëndë.

Tifozët e Toulouse e kishin shpallur Taton si një hero të tyre, ndërsa dënimi i huliganëve serbë me siguri se do t’ua shuajë sadopak dhimbjen për humbjen e mikut të tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›